Në komunikimet e zbardhura në dosjen e prokurorisë, më datë 1.07.2020, Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Hakën në lidhje me vrasjen e Durim Bamit.
“Për atë pisin që del, me i nejt gati ta zejm ditë të hëne, e kap brenda javës. Se i them njërit nga Vlora. Po takoje atë shokun një herë që ta bëjmë një plan të na thonë dhe kur vjen në Tiranë. Po në Laprakë. Se sa të shofin, se ta bëjnë (vrasin) rrugës kur vjen për andej. Po sa ta piketojnë se fola me këto çunat dhe ok janë. Veç me na thënë para është mirë thot”, i shkruan Shullazi.
Në komunikimet e Emiljano Shullazit me Marklen Hakën dyshohet se diskutojnë në lidhje me lokalizimin e Durim Bamit.
“Dyshohet se Bami ka shkuar tek gjiri i Lalëzit me makinë të blinduar ose Range Rover”.
Në një komunikim përmes aplikacionit SKY ECC në 6 mars 2020, Emiljano Shullazi dhe Marklen Haka diskutojnë serish në lidhje me vrasjen e Durim Bamit.
Ndër të tjera Shullazi shkruan: “Ça duket do e kapin ata çunat atë qelbësirën? Hë pra thuaj shpejt. Lir Pajës i tham ne për Durim Banin, atëherë që folëm bashkë por ai s’ka takat e ka mendjen te malli”
Në komunikimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë, më datë 24 mars 202, Shullazi komunikon sërish me Marklen Hakën dhe dyshohet se diskutojnë në lidhje me lokalizimin e shtetasit Durim Bami: “Po ça nuk del fare në lagje ai plehra. Me ça makine del k…., po Valteri ça thot?”
Një tjetër komunikim mes tyre mban datën 20.04 2020, ku Shullazi e pyet Marklen Hakën për makinat që përdor Durim Bami. “Ai D me çfarë është duke lëviz, me atë Renxhin me targa italiane? Po me çfarë targash e mban? Me të rejat, sa e ka targën. Duhet me rujt edhe Bedriun. Me ca makine kishte ardh në Tiranë. Po blindin e mori atë Audin”?
SPAK e akuzon Marklen Hakën për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Durim Bami, ngjarje e ndodhur në datën 04.11.2020 në qytetin e Tiranës, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.