Florian Plaku, vlonjati që u shpall sot në kërkim nga policia dhe prokuroria e Tiranës, si njëri nga tre ekzekutorët e Gentian Bejtjas në Larushk të Tiranës, rezulton të jetë miku i Roan Brahimit që në muajin Maj 2024, mbeti i vrarë në Athinë.
Brahimi, besohet shumë se ka bashkëpunuar me Florian Plakun, dhe kunatin e tij, Ilir Beqiraj alias Brahimi, por edhe me persona të tjerë në ngjarjen e vrasjes së Gentian Bejtjas në Larushk.
Krimi i rëndë ndodhi në sy të fëmijëve të Bejtjas, teksa ky i fundit ndodhej brenda një sere të vogël, duke vaditur domate.
Sipas burimeve të policisë është provuar në dhjetëra raste se Roan Brahimi, ka prerë biletë avioni në një agjenci udhëtimi në Lezhë për Florian Plakun dhe disa persona të tjerë të skeduar nga policia kriminale si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Kjo agjenci udhëtimi që ndodhet në qytetin e Lezhës është kontrolluar dy ditë më parë nga policia kriminale e Tiranës dhe prej andej janë sekuestruar disa dokumente dhe një kompjuter.
Pikërisht nga kjo agjenci janë prerë disa bileta avioni për Florian Plakun dhe persona të tjerë, pagesat e të cilave i ka kryer Roan Brahimi.
Ka rezultuar se vlonjati Florian Plaku që në Vlorë njihet me nofkën “Pole Qorri” është larguar nga Shqipëria vetëm pak ditë pasi grupi kishte ekzekutuar me 50 plumba kallashnikovi Gentjan Bejtjan.
Ky i fundit i kishte shpëtuar dy atentateve të mëparshme, por e njëjta skuadër u mobilizua në muajin Mars 2024 duke kryer vrasjen e tij.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno është informuar nga burime pranë policisë së Tiranës se Florian Plaku, aktualisht ndodhet në Spanjë.
Urdhri për arrestimin e tij është lëshuar qysh prej 26 korrikut, por është mbajtur sekret dhe pa publikuar në media me shpresën se Florian Plaku, do udhëtonte për pushime nga Spanja në drejtim të Shqipërisë, ku dhe më pas policia kishte planifikuar arrestimin e tij.
Por Florian Plaku nuk ka dhënë asnjë sinjal për të ardhur në Shqipëri ndaj dhe u bë zyrtarisht shpallja në kërkim ndërkombëtar i tij. Policia Shqiptare ka kërkuar autoriteteve Spanjolle arrestimin e Plakut, në një qytet të Spanjës.
Sipas burimeve të policisë së Tiranës identifikimi i Florian Plakut është kryer përmes një analize ADN-je.
Policia gjeti gjurmë djerse në njërën prej dorezave të derës së pasme dhe dorezën e dorëz që ndodhet në tavanin e makinës tip “Golf 7” të sekuestruar në zonën e TEG-ut, teksa makinën po e çonte për ta larë në lavazh i arrestuari Edison Haxhiu.
Kjo makinë e sekuestruar tashmë nga policia, është përdorur nga njësia e vrasjeve për t’u larguar nga vendi, ku grupi braktisi dhe dogji makinën “Range-Rover” të përdorur në ekzekutimin e Bejtjas.
Gjurma biologjike e marrë në makinë është krahasuar në bankën e të dhënave të ADN-së që ndodhet në policinë kriminale në Policinë e Shtetit, e cila rezultoi se i përkiste gjurmëve të personit të arrestuar në 2019, Florian Plaku.
Në 2019 Plaku është arrestuar për qëllimi ekstradimi në Itali pasi rezultonte i shpallur në kërkuar nga autoritet italiane si i përfshirë në trafikun e drogës dhe këtë gjë e ka bërë së bashku me disa persona të tjerë si Armand Lushaj, Indrit Hamzaj dhe Julian Aliaj, të cilët shpërndanin drogën në komunat e Firences.
Qysh në 2019 Plakut i janë marrë gjurmët e ADN-së ndaj dhe identifikimi i tij përmes djersës së gjetur në dorezat e makinës është realizuar shumë i shpejtë.
Kaq ka mjaftuar ndaj Florian Plakut të lëshohet masa e “arrestit në burg”. Tashmë ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe në rast se do arrestohet do ekstradohet në Shqipëri.
Ky zbulim i ri ka çuar në një tjetër nivel hetimet e prokurorisë dhe policisë së Tiranës, të cilat thanë për gazetarin e “Ora News”, Elton Qyno, se vrasja e Bejtjas në sy të fëmijëve të tij, është porositur dhe financuar nga një grup kriminal që vepron në zonën e Niklës, por ekzekutorët besohet se janë marrë nga Vlora./ Ora News