23-vjeçari Blerti Kanushi, i arrestuar pwr vrasjen e 72-vjeçarit Faik Ajdini në Memaliaj, rezulton person me precedent penal të mëparshëm.
Që prej shkurtit të këtij viti, 23-vjeçari ishte në kërkim me masë sigurie nga gjykata.
Më datë 6 shkurt të këtij viti, 23-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës si pjesëtar i një grupi që u kap me 1.5 kg kokainë në zonën e “Astirit”.
Në 6 shkurt Sektori i Antidrogës në Policinë e Tiranës arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tyre 23-vjeçarin Blerti Kanushi, i cili kishte rolin e ndërmjetësuesit në grupin e shpërndarjes së lëndës narkotike.
Ngjarja e rëndë u regjistruar më 19 gusht 2024 në fshatin Zhapokik të Memaliajt në Gjirokastër.
Kur i moshuari nuk kishte shkuar në banesë familjarët kishin nisur kërkimet duke e gjetur të pajetë 24 orë më pas në një përrua.
Nga këqyrja paraprake e kufomës u kuptua se kishim të bënim me vrasje të shkaktuar me mjet prerës.
Teksa policia e Gjirokastër zbardhi krimin dhe arrestoi autorët.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa në një deklaratë për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë u shpreh se nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes.
“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij”, tha Çipa.