Gjovana Sokolaj pranon se gjatë vitit 2024 ka kryer 2 ose 3 eksporte me destinacion Tajlandën dhe ka dërguar oksid hekuri. “Nuk kam pasur asnjë problematikë me eksportet e bëra gjatë 2024”, thotë Sokolaj.
Ajo tregon më tej në dëshmi se KURUM I kishte kërkuar 2000 ton oksid hekuri dhe detyrimi ishte ti dërgonte një sasi pagesë si paradhënie për produktin. Sokolaj pretendon se për kryerjen e analizave ka nisur kampion në Kroaci. “E kam nisur mostrën me datë 7 prill 2024 dhe përgjigja më ka ardhur më datë 21 prill 2024. Na analizat ka rezultuar se produkti është oksid hekuri dhe nuk është toksik”, shpjegon më tej për prokurorët.
Gjovana Sokolaj ka shpjeguar se është administrator e subjektit GS Mineral DOO me adresë në Kroaci, subject të cilit i kishte shitur mallin.
“Këtë subject e kam hapur prej 3 vitesh. Ne jemi subject broker, pasi bëjmë lidhjen e marrëveshjeve, kontratave me subjektet ndërkombëtare”, shpjegon më tej ajo.
Sokolaj ka treguar për prokurorët se është e pajisur me pasaportë kroate dhe për këtë arsye subjektin e ka kapur me vendim të gjykatës kroate. Në momentin që është marrë në pyetje, Gjovana Sokolaj ka shpjeguar se kontejnerët ndodheshin në afërsi të Portit të Singaporit dhe ishte në pritje për të mësuar nëse ngarkesa do të hynte apo jo për tu shkarkuar. Lidhur me fikjen e GPS, ajo pretendon se nuk ka asnjë dijeni.
Lidhur me subjektin GSS Mineral DOO rezulton sipas verefikimeve se është në pronësi të Gjon Sokolaj dhe administrohet nga Gjovana Sokolaj dhe Doni Sokolaj.
Pasi ka administruar të gjitha dokumentat është sugjeruar nga prokurorët nisja e hetimit për Gjon Sokolaj, Gjovana Sokolaj dhe Doni Sokolaj si persona të dyshuar për veprat penale “fshehje e të adhurave”, trasportimi i mbeturinave toksike dhe kontrabandë me mallra të tjera, si dhe është kërkuar edhe hetimi pasuror për këta 3 shtetas.