Plaurent Dervishaj, një prej emrave më kontroversë të botës së krimit ndodhet tashmë në paraburgim pas deportimit nga Dubai , pas vitesh kërkimi ndërkombëtar. Ai u dëbua nga Dubai ku jetonte prej vitesh dhe kishte investuar miliona atje.
Korrieri ka mësuar të gjitha prapaskenat që cuan në dëbimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare nga Dubai që më herët kishte refezuar cdo ekstradim të shqiptarëve që kërkoheshin për vrasje apo krime të tjera.
Dervishaj, sipas burimeve u arrestua me 6 gusht, pas një sherri që kishte patur me një shqiptar në stadiumin e Dubait.
Burimet thonë se me datë 21 korrik, ai u përplas me një shqiptar, i identifikuar si Ari. Ky i fundit bëri denoncim në policinë e Dubait ndaj të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare dhe burimet besojnë se ai e la territorin atje dhe u largua.
Burimet konfirmojnë se Dervishaj dhe Ari kanë njohje me njëri-tjetrin dhe arsyet e përplasjes mes tyre mbeten të paqarta, por dyshimet janë së sherri mes tyre mund të jetë edhe i qëllimshëm.
Dy javë pas këtij incidenti, në një vend, ku të kërkuarit lajmërohen të mos kryejnë as shkeljen më të vogël të ligjit, ndryshe ndëshkohen rëndë, forca speciale të Dubait, zbarkuan në derën e Plarent Dervishaj dhe pasi thyen derën e shtëpisë e morën atë.
“Dyshojmë se mund të bëhet atentat ndaj teje, ndaj kemi ardhur. Do vish me ne”, i thanë shkurt të akuzuarit si kreu i grupit kriminal.
Dervishaj nuk nguroi dhe në momentin e parë nuk kërkoi as avokat.
Pasi dy ditësh, në ambjentin e izolimit ku mbahej, mësohet se e pyetën për paratë që kishte investuar në Dubai.
Pikërisht në këtë moment, burimet thonë se Dervishaj dyshoi se dicka po ndodhte me të.
Ai mësohet se ka kërkuar të ketë kontakt me prokurorin dhe avokatin e tij, por nuk është lejuar, edhe pse mësohet se Dervishaj ka patur leje qëndrimi 10-vjecare ne Dubai.
Për dhjetë ditë më radhë është mbajtur ne izolim, derisa i është dhënë pasaporta dhe i është bërë me dije se do të dëbohej.
“I pyeta se për cilat arsye do të dëbonin dhe kërkova një dokument. Por nuk më dhanë shpjegime”, tha Dervishaj në seancë në GJKKO, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Burimet thonë se edhe autoritetet shqiptare, dërguan një dosje secrete në Dubai, me të dhëna që flisnin sipas tyre se Plarent Dervishaj përbënte rrezik për shtetin atje. Të dhënat janë konfidenciale dhe informacionet janë mbledhur në burime të ndryshme.
Dervishaj u dërgua në aeroport dhe me linjë direkte u soll në Tiranë. Ai është i pari personazh i rëndësishëm i botës së krimit, i cili u dëbua nga Dubai, një vend që ishte kthyer në strehën e shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia. Ndërkohë, Julian Mece, i dyshuar si anëtar i grupit të tij kriminal u dëbua po ashtu. Ai udhëtoi nga Dubai transit në Turqi e prej andej në Tiranë.
Dervishaj është akuzuar nga drejtësia si anëtar i Bandës së Durrësit që drejtohej nga ish-kunati i tij Lulzim Berisha. Pas vitesh të gjata në arrati, ai mori pafajësinë.
Pasi i mbijetoi një atentati në Koxhas të Durrësit, sipas SPAK Dervishaj krijoi një grup kriminal dhe realizoi atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj automjetit të ish-prokurorit Arjan Ndoj. Në këtë ngjarje, mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosën Ndoj e Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur me nofkën Rrumi.
Detajet e atentatit u zbuluan nga zbërthimet e bisedave në SKY ECC. Po ashtu ai u vu nën akuzë për trafik narkotikësh, bashkë me Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Ndërsa po gjykohet nga Gjykata e Posacme për vrasjen e Klodian Saliut në 2005 në Durrës. /Korrieri