Tajlanda nuk ka dhënë pëlqim për dërgesën me mbetje toksike që po transportohet me të paktën 100 kontenierë (të paktën 800 tonë) me vend origjine Shqipërinë, me një anije të trustit tregtaro-ujor të “Maersk Campton”.
Anija në fjalë sipas “Basel Action Network”, që dha alarmin e para që nga qendra e saj në SHBA, ka fikur sinjalin prej datës 31 korrik dhe nuk po arrihet të gjendet vendndodhja, teksa ndalesën tranzit të radhës u njoftua se kishte Cape Town, në Afrikën e Jugut. BAN njoftoi se sinjali GPS i anijes rezulton i fikur ende dhe nuk arrihet dot të lokalizohet.
Autoritetet vendase i thanë mediave dhe publikut se janë informuar për anijen që po transporton mbetje të rrezikshme industriale, kryesisht karboniko-kancerogjene nga filtrimi prej shkrirjes së çelikut dhe po marrin masa nëpërmjet institucioneve përkatëse për ta ndaluar hyrjen e ngarkesës dhe njëkohësisht kërkuar informacione dhe hetime nga Shqipëria dhe Afrika e Jugut, që gjithashtu këshillohen të marrin masa. Njësia OLAF në Shqipëri konfirmoi se po ndjek rastin në fjalë.
“Agjencitë përkatëse qeveritare ‘nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa’, tha në një e-mail Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve. “Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm”, raportoi “theedgemalaysia” për zhvillimet e orëve më të fundit.
Ka dyshime të forta se poseduesit dhe dërguesit e ngarkesës mund të kenë ndryshuar destinacion shkarkimi të mbetjeve toksike gjatë rrugës, pas refuzimeve të pritjes nga Tajlanda.