Investitori strategjik Pëllumb Gjoka “troket” në dyert e Gjykatës Kushtetuese. Ai kërkon shfuqizimin e vendimeve të gjykatave që kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij dhe papërdorshmërinë e bisedave të zbuluara në Sky Ecc, aplikacion që u zbërthye nga autoritetet francize dhe iu vunë në dispozicion SPAK.
Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka nxjerrë për shqyrtim këtë cështje, që në fakt përbën interes të lartë për Prokurorinë e Posacme. Kjo sepse disa nga aksionet më të bujshme dhe arrestimet e emrave të rëndësishëm të krimit dhe drejtësisë janë bazuar në bisedat e zbuluara në Sky Ecc.
Pëllumb Gjoka është marrë i pandehur nga SPAK për akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal. Të pandehur bashkë me të janë edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-shefi I Forcës së Posacme Operacionale Oltion Bistri si dhe anëtarë të grupit kriminal Bajri.
Gjoka, 49-vjecar rezulton të jetë pronar i kompanisë “Imperial Group” me aktivitet në fushën e lojërave të fatit dhe investimeve në turizëm. Kompania e tij mori nga qeveria statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort. Resorti luksoz në vlerën e 52 milionë eurove do të ndërtohej në Velipojë, por pas arrestimit të Gjokës, SPAK zbuloi se toka ku do të ngrihej investimi ishte marrë përmes falsifikimit, për këtë arsye sipërfaqja prej 390 mijë metra katrorë është vënë nën sekuestro.
Veç Pëllumb Gjokës të pandehur janë marrë edhe Behar Bajri Brajoviq, Edmond Preka, Astmer Bilali, dy zyrtarët e policisë Oltin Bistrit dhe Ardit Hasanbegaj si dhe ish prokurori Xhevahir Lita.
Ndërkohë përgjimet e Prokurorisë së Posaçme në Sky Ecc kanë qenë baza mbi të cilën janë nën vënë nën pranga dhe funksionarë të lartë të drejtësisë sic ishte rasti i kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka. Për këtë arsye SPAK ka urdhëruar që asnjë detaj i dosjes në fjalë ku përmenden emra prokurorësh dhe gjykatësish që bashkëpunojnë me bandat të mos publikohet.
Çështja e përgjimeve në Sky Ecc mbetet një patate e nxehtë në duart e drejtësisë dhe politikës shqiptare. Nga njëra anë pjesa dërrmuese e SPAK me vullnetin për të zbardhur dhe përdorur përgjimet me qëllim luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, prokurorë dhe gjykatës të përfshirë që duan dhe investojnë që përgjimet të mos përdoren si prova. Dhe në fund politika, që me hapjen e portës së përdorimit të përgjimeve në Sky Ecc rrezikon të fundosë eksponentë të fuqishëm të saj.
Ndaj nuk është krejt e rastësishme që pikërisht në këto momente Pëllumb Gjoka, një bandit me privilegje shtetërore gjen hapësirën dhe deri diku “mirëkuptimin” e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e mospërdorimit të përgjimeve në Sky Ecc si prova. Që në fakt duket si një provë e re dhe e madhe për Gjykatën Kushtetuese dhe qëndrimin që do të mbajë për këtë çështje delikate.
Një cështje në fakt që ka kaluar në sitën e drejtësisë europiane ndërsa shtete të ndryshme të BE e kanë çuar për shqyrtim deri në Gjykatën e BE në Luksemburg, e cila para disa muajsh ka dhënë vendim sipas të cilit këto përgjime janë “TË PËRDORSHME”