“Të braktisesh dhe pas vdekjes“, ky është rasti i Arben Lleshit.
I dënuari me bugim të përjetshëm për vrasjen e shokut të tij në Britaninë e Madhe, u ekzekutua nga Sokol Mjacaj brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin në dhjetor të 2023.
Por, kur po mbushen 9 muaj nga dita e ekzekutimit, trupi i pajetë i Arben Lleshit vijon të mbahet në morgun e Tiranës, shkruan vna.
Familja e tij ka refuzuar deri më tani për ta tërhequr trupin dhe kryer ceremoninë e varrimit, me gjasë nga frika e hakmarrjes.
Madje, ata pretenduan se viktima nuk ishte i afërmi i tyre, cka detyroi institucionet të kryenin analizën e ADN-së për të rikonfirmuan identitetin.
Pavarësisht kësaj, ende familja nuk ka reaguar, edhe pse tashmë autoritetit ua kanë bërë të qartë, se viktima është shtetasi Arben Lleshi, i afërmi i tyre.
Në kushte të tilla, duhet që prokuroria të marrë masa, të lëshojë autorizimin që Arben Lleshi të varroset nga Bashkia. Deri më tani ky autorizim nuk është lëshuar.
Arben Lleshi ishte dënuar përjetësisht për vrasjen dhe më pas djegien e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe në 2012. Ai u arrestua nga autoritetet atje dhe u ekstradua në Shqipëri ku po vuante dënimin, kur edhe u ekzekutua nga Sokol Mjacaj, një i dënuar po me burg të përjetshëm për vrasjen e dy turistë cekë në Prekal të Shkodrës. Por që pas vrasjes macabre të Agim Hoxhës, familja Lleshi ka humbur 4 pjesëtarë.
Dy xhaxhallarët e Arben Lleshit, Xhavit e Hajredin Lleshi u vranë në vitet 2013 dhe 2016, ndërsa janë zhdukur pa gjurmë dy kushërinjtë e tij, Artan e Klevis Lleshi.
I dënuari Lleshi dyshohet të jetë ekzekutuar për motive hakmarrje ndaj vrasjes së Agim Hoxhës, por hetuesit ende nuk kanë zbuluar emrin e urdhëruesit, ndërsa ekzekutori Sokol Mjacaj ka refuzuar të flasë.