Adriatik (Andrea) Kalemi ka humbur sot një tjetër anëtar të familjes. Babai i tij, Shyqyri Kalemi u vra me breshëri plumbash teksa ndodhej në një lokal në Memaliaj, ngjarje në të cilën u ekzekutuan dhe kamerieri i lokalit Gledi Muka dhe një klient rastësor Marsel Çela. I plagosur ka mbetur dhe xhaxhai i Adriatik Kalemit, Artur Kalemi që ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Adriatik Kalemi lindi në qytetin e vogël të Memaliajt. Familja Kalemi ka marrë edhe tendera nga Bashkia Memaliaj për shërbimin e pastrimit, grumbullimit dhe transportin e mbeturinave, gjë që tregon se sa lart i ‘zgjatur’ tentakulat ky njeri gradualisht.
Adriatik Kalemi është bërë një emër i njohur për drejtësinë që në vitin 2001, kur u arrestua nga forcat speciale RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge. Në atë kohë, ai akuzohej se në bashkëpunim me vëllanë e tij, Fatmir Kalemi u kishin bërë atentat dhe kishin lënë të vdekur vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça. Ngjarja e rëndë ndodhinë Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Por kjo nuk është ngjarja e vetme në të cilën do të përmendej emri i Adriatik Kalemit.
Në vitin 2017, Adriatik Kalemi ishte titull kryesore në të gjitha mediat vendase kur ashkë me dy persona të tjerë, në gjendje të dehur dhunuan me shufër hekuri një efektiv policie, i cili përfundoi në spital.
Me kalimin e viteve, Kalemi e kishte zgjeruar ‘tregtinë’ dhe ishte kthyer në një nga personazhët kyçë të trafikut të drogës mes Shqipërisë e Greqisë. Në këtë rrjet kishte përfshirë dhe nipin e tij, Aleksandër Sadikaj.
Zhdukja e 700 kilogramëve kanabis në Greqi, përçau grupin.
Vrasja e parë u raportua në Greqi. Bëhet fjalë për ekzekutimin e dyshes Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organjës. Miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi, vijon ende të jetë i zhdukur pa gjurmë. Dyshohet se edhe ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.
Në Shqipëri kishin nisur negociatat për këtë sasi droge.
Grupi i Kalemit, pjesë e të cilit ishte dhe nipi i tij, Aleksandër Sadikaj, kërkonte llogari nga një biznesmen i lindur në Fier, por që jetonte mes Sarandës e Tiranës, Edmond Papa, pronari i “Blu Sky”, një prej dhjetëra hoteleve që shtrihet në bregun e Jonit.
Mosmarrëveshjet nuk gjetën zgjidhje, por Kalemi kërkonte ‘haraçin’.
Mediat raportojnë se grupi i tij organizoi një takim në hotelin “Blu Sky”, ku dhe vendosi një ‘gjobë’ si ultimatum. Kushti ishte që biznesmeni Papa do t’i dorëzonte grupit xhiron e hotelit, pa afat. Mirëpo, për një njeri që po kapte të 50-at, ky ishte një nënshtrim që s’e pranonte lehtë dhe muskujt e të rinjve të palestruar që tregonin me mburrje jetën luksoze në rrjetet sociale, nuk e stepën.
Zgjidhja ishte eliminimi i Sadikajt…dhe kështu u bë!
Aleksandër Sadikaj, i cili në Greqi përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij, pranë TEG në Tiranë. Pamjet e rënda që u shpërndanë në rrjet, ku Sadikaj shihej teksa transportohej me gjymtyrë të masakruara, ishin një mesazh i fortë për të tjerët.
Papa kishte hyrë në lojë seriozisht!
Mesazhi u mor, por nuk mbeti pa përgjigje…
Disa muaj më pas, biznesmeni Edmond Papa u vra në Tiranë ku kishte ardhur për të qëndruar pranë nënës së tij, e cila ishte e sëmurë.
Qitësit e kishin ndjekur për ta qëlluar me armë zjarri brenda një lokali, vetëm pak metra larg banesës. Fijet u lidhën shpejt me Aleksandër Sadikajn. Kjo pasi familjarët e tij kanë ngritur dyshime se vrasja e 27-vjeçarit ishte organizuar në hotelin e Papës në Sarandë. Megjithatë familja e të ndjerit Sadikaj nuk dukej e ‘kënaqur’ me kaq! Herë pas here, e motra e të riut, Vanesa, mes vajtimeve në rrjete sociale, ka guxuar dhe të flasë me emra. Njëri është biznesmeni nga Saranda që u ekzekutua në Tiranës, Edmond Papa, ndërsa një tjetër person që ka përmendur është Ledian Alushaj (disa herë Vanesa i referohet edhe me mbi emrin Allushaj).
Deri më tani në pranga për vrasjen e Papës është vendosur Albano Velo, si dhe është shpallur në kërkim Andreë Bode. Të dy shfaqen në një foto me Kalemin, duke e implikuar qartë këtë të fundit në vrasjen e Edmond Papës.
Historia ka treguar se arrestimi nuk mjafton kurrë për të vendosur në vend drejtësinë.
Më 6 prill të vitit 2023 u zhdukën Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori, fati i të cilëve mbetet ende një mistër pavarësisht se ka kaluar më shumë së një vit. Kërkimet kanë qenë të herëpashershme, madje pak muaj më parë u raportua dhe për gjetjen e një koke, por autoritetet nuk kanë arritur në përfundim të hetimeve.
22 ditë pas zhdukjes së dy miqve, në 28 Prill, Policia e Sarandës vuri në pranga si të implikuar në krimin e rëndë shtetasin Sofokli Baxheri, me profesion agjent imobilar. Sipas prokurorisë ai kishte negociuar për t’i dhënë me qira një vilë pikërisht personave të dyshuar për rrëmbimin e “Koçoles” dhe Sulovarit. Në vilën për të cilën ka negociuar Baxheri, dyshohet se ka ndodhur dhe eleminimi fizik i dy viktimave.
Banorët e zonës tregonin se nga ajo banesë hynin e dilnin mjete të ndryshme si fuoristradë “Mercedes-Benz” G Class ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot” ngjyrë e kuqe si dhe autovetura “Mercedes-Benz” me të cilën dyshohet se kanë ndodhur dy krime, vendosja e eksplozivit te banesa e Lefter Lefterit dhe rrëmbimi e zhdukja e Leonard Thodhorit e Fatmir Sulovarit.
Në 30 Gusht të një viti më parë, Policia arrestoi në qytetin e Fierit 29-vjeçarin Albi Mëçinin, të cilit iu gjetën 21 kilogramësh lëndë plasëse artizanale. Mëçini ka qenë i dyshuar dhe për zhdukjen e Sulovarit dhe Theodhorit. Sipas prokurorisë në vilën që u mor me qera në Nivicë, janë gjetur dhe gjurmë të ADN-së së tij. Por pavarësisht se kanë kaluar muaj nga arrestimi i Mëçinit, prokuroria nuk ka avancuar në zbardhjen e zhdukjes së dy 46-vjeçarëve në Sarandë. 29-vjeçari ka mohuar lidhjen e tij me krimin e ndodhur në muajin Prill në Sarandë dhe deri tani nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije më herët se prokuroria po heton për një grup që vepron në fushën e trafikimit të drogës nga jugu i Shqipërisë drejt Greqisë. I njëjti grup që dyshohet se është përgjegjës dhe për atentatin me tritol që ndodhi vitin e kaluar në rrethrrotullimin e TEG-ut në Tiranë, ku mbeti i vdekur shtetasi Aleksandër Sadikaj, pra armiqtë e Kalemit.
Por pavarësisht indicieve, përveç Mëçinit që ra në pranga për një tjetër vepër penale, askush nuk është vendosur përpara drejtësisë.
Këto ngjarje të njëpasnjëshme vënë në dukje dhe egërsinë e grupeve kriminale shqiptare, që duke imituar mafien italiane kanë futur në modë, zhdukjen e trupave të armiqve të tyre, një teknikë që shmang implikimin e tyre përpara drejtësisë.
Ku s’ka kufomë, s’ka krim!
Ashtu si nëna e Leonard Thodhorit, edhe vëllai i Fatmir Sulovarit, pohuan përpara grupit hetues, se ata kishin qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, orët e fundit para se të zhdukeshin në mënyrë të papritur.
Sulovari thuhet se ishte një biznesmen pa influencë në qytetin e Sarandës. Ai ishte nga Fieri, por jetonte në Tiranë.
Sipas familjarëve të tij, ai vinte shpesh në qytetin e Sarandës, pasi që prej vitit 2006, ishte pronar i disko ‘El Dorado’. Këtë herë ai kishte mbërritur në qytet, pasi diskoja ishte prishur.
Për këtë arsye ai kishte ardhur aty bashkë me babain e tij, për të kryer shpërnguljen e të gjithë pajisjeve që kishin shërbyer në disko.
Dyshimet e policisë janë se Leonard Thodhori u thirr aty nga persona me të cilët mendohet se kohët e fundit ai kishte krijuar probleme ose u nxor në pritë nga njerëz të cilët ai cilësonte si të besuar.
Sipas policisë, Leonard Thodhori, thënë ndryshe ‘Koçolja’ dhe Fatmir Sulovari, u rrëmbyen pasi u futën në kurth, nga makina e cila është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë. Makinë me xhama të zinj, që siç vihet re lëviz me shpejtësi në disa akse rrugore në qytet në orën 15.50.
Ajo që konstatohet është fakti se drejtuesi i mjetit, edhe pse koha jashtë është e vranët dhe me shi, mban të ulura mbrojtëset e përparme kundra diellit, si në krahun e shoferit ashtu edhe në atë të pasagjerit.
Kjo me siguri, për t’i pamundësuar policisë, identifikimin e shoferit dhe më pas të personave të cilët janë pjesëmarrës në rrëmbim. Një tjetër element që vihet re është se xhamat e pasme të makinës, ishin të zeza. Organizatorët kishin marrë gjitha masat që portreti i tij të mos shquhet nga policia.
Lëvizjet e makinës ‘Mercedes Benz’, të cilat çuan policinë drejt fshatit Nivicë në Sarandë dhe drejt emrit të shtetasit Sofokli Baxheri, i njohur shkur si Sofo, banues në Nivicë.
Por cila është lidhja e Sofokli Baxherit me rrëmbimin e dy personave në Sarandë?
Baxheri mendohet se u ka vënë në shërbim personave që rrëmbyen ‘Koçolen’ dhe Sulovarin, banesën që kishte marrë me qira në fshatin Nivicë në Sarandë.
Banesë në pronësi të shtetasit, Strati Dukshi, në oborrin e së cilës u gjend edhe makina ‘Mercedes Benz’, që dyshohet se transportoi dy personat drejt bazës ku u zhdukën, gjatë rrëmbimit të tyre.
Baxheri heshti për makinën ‘Mercedes Benz’ që u gjet në oborrin e vilës në Nivicë, me të cilën dyshohet se u rrëmbyen Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Baxheri është njeriu kyç që nëse flet, mund të zbardhë jo vetëm rrëmbimin e ‘Koçoles’ dhe Fatmir Sulovarit, por edhe të një ngjarje tjetër të rëndë, atë të vendosjes së një sasie eksplozivi në banesën e 54 vjeçarit, Lefter Lefteri, njohur ndryshe edhe me gjeneralitetet, Afëz Kulla.
Nga ana tjetër rezulton se Sofokli Baxheri është shok me djalin e pronarit të banesës së cilës iu vendos eksplozivi.
Pasi janë futur në kurth, mendohet që Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë transportuar për në fshatin Sorone, dhe të jenë mbajtur në disa stalla bagëtish, që më herët janë përdorur për fshehjen e sasisë së drogës, që kalonte në Greqi, aty ku mendohet se Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë vrarë dhe më pas trupat e tyre janë zhdukur për të mos u gjendur edhe sot.
Shkak fillestar për këtë rrëmbim dhe më pas zhdukje të trupave, thuhet të jetë bërë një tokë që ‘Koçolja’, në këtë rast Leonard Thodhori, kishte shitur në Sarandë.
Bëhet fjalë për një parcelë me një vlerë të konsiderueshme, për të cilën ai thuhet se ka kërcënuar personat me të cilët ishte në këtë marrëdhënie se nëse nuk do t’i jepnin paratë, ai do të rrëfente krimet që kishin kryer.
Por kur ishin Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari që mbante edhe mbiemrin Krasniqi?
Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole” ka qenë u dënuar disa herë nga drejtësia. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, ka qenë i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 në Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Policia beson që në ngjarjen e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe të Sulovarit, të ketë gisht Ledjan Alushi, njohur edhe me gjeneralitetet, Eldjan Alushi.
Personi i cili del edhe në dëshminë e nënës së Aleksandër Sadikaj, si i implikuar në ekzekutimin e tij më 11 qershor të vitit 2022 tek rrethrrotullimi i TEG-ut nga shpërthimi i një sasie të madhe eksplozivi që ishte montuar në makinën e tij.
Grupi hetues beson se Leonard Thodhori, kishte dijeni të plotë për atentatin me eksploziv ndaj Aleksandër Sadikajt si dhe njerëzit që e organizuan atë, persona që ishin të lidhur me trafikun e drogës që kalonte nga Kanali i Çukës në Sarandë në drejtim të Greqisë.
Fakti që Thodhori kishte dijeni e informacione për ekzekutimin me eksploziv të ‘Sanços’ në Tiranë, duket se i ka frikësuar keqasi autorët që kanë arritur të mendojnë, planifikojnë e ekzekutojnë rrëmbimin e tij bashkë me shokun e tij të ngushtë.
Por ndërsa grupi hetues i ngriti të gjitha dyshimet mbi një konflikt të mundshëm për drogën midis ‘Sanços’ dhe Papës, dëshmia e fundit e dhënë nga nëna e Aleksandër Sadikajt, solli për grupin hetues në vëmendje edhe një tjetër pistë. Bëhet fjalë për një tokë që djali i saj kishte blerë pranë TEG-ut në Tiranë, por që e pretendonte edhe Ledjani. Mosdakortësia për këtë tokë mund të ketë lënë të pakënaqur, Ledjanin dhe njerëzit e tij përreth, në këtë rast edhe Edmond Papën.
Por Ledjan Alushaj, nuk mendohet të jetë i vetëm që rrëmbeu ‘Koçolen’ dhe mikun e tij, pasi policia mendon se pjesë e grupit kriminal është edhe një shtetas nga veriu i vendit. Siopas dosjes së publikuar nga “Në Shënjestër”, bëhet fjalë për një të dënuar me burgim të përjetshëm që ka drejtuar nga qelia operacionin për rrëmbimin e dy personave në Sarandë, por që emri i tij nuk është zbardhur.
Ndërkohë që në Shqipëri vijonin hetimit dhe pistat sa vijnë e zgjerohet, verën e kaluar Adriatik (Andrea) Kalemi zgjodhi të kalonte pushimet në ishullin grek Paxos, që në fakt nuk ishin fort relaksuese për të. Më datë 5 gusht, ai u qëllua të paktën 10 herë në sy të tre fëmijëve dhe bashkëshortes së tij nga një person i maskuar që arriti të largohej pa u vënë re nga askush. Dyshimet binin mbi familjen e Papës.
Kalemi u dërgua në Qendrën Shëndetësore Paxos dhe më pas në Spitalin Universitar të Janinës. Pasi u kurua, u dërgua në burgun grek Koridhalo pasi përballja me autoritetet e vendit fqinj zbuloi se kishte dosje të pambyllura me drejtësinë helene. Burgut i erdhi fundi, por jo sulmeve, pasi në momentin që po bëhej gati të linte qelinë, u sulmua sërish më 15 dhjetor. Në momentin që po mblidhte gjërat e tij në qeli për të fituar lirinë e për tu kthyer në Shqipëri, Kalemit iu bë prita e radhës. Një 28-vjeçar egjiptian, që ishte paguar për ta vrarë, nuk e la të kalonte derën e hekurit. Ai nxorri një thikë dhe e qëlloi në shpatull dhe pasi 51-vjeçari ra në tokë, u largua.
Kalemi u kthye në Shqipëri, por hakmarrja s’u ndal.
Zamir Kalemi ishte shënjestra e radhës. Mes dhjetëra problemeve, vëllai i Adriatik Kalemit qarkullonte me një mjet tip “Smart” dhe pa asnjë mbrojtje në Tiranë. Zamir Kalemi u ndoq mbrëmjen e 12 janarit dhe autorët kanë nisur të qëllojnë me breshëri, sapo makina e tyre “Nissan” me targa të vjedhura në 2018-ën në Tiranë, ishte paralel me atë të 35-vjeçarit, në një distancë të ngushtë në rrethrrotulimin e Selitës.
Ai i mbijetoi atentatit dhe mori vetëm një plumb në këmbë, për të cilin po rikuperohet në spitalin e Traumës. Por, për autorët nuk ka ditur të thotë asgjë. 35-vjeçari, siç raportuan mediat më herët, ka zbërthyer të gjitha lëvizjet që ka bërë ditët e fundit dhe personat me të cilët është takuar, por, autorët ka thënë se nuk i ka parë pasi ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të të shtënave.
Kjo verë u duk sikur do të ishte më e qeta e viteve të fundit, por me mbylljen e kampionatit evropian, grupet siç duket janë vënë në lëvizje.
Dhe goditja e parë erdhi një natë më parë. Duke qenë të heshtu për muaj me radhë, familja Kalemi duket se ishte relaksuar në një lokal në Memaliaj.
Por, në orën 23:20 një automjet ndaloi para dyerve të lokalit dhe tre personat që ishin benda hapën zjarr për të mos kursyer askënd. Mjeti i përdorur në krim u gjet i djegur në Mallakastër bashkë me tre armët e zjarrit.
Orët që kalojnë janë vendimtare për jetën e xhaxhait të Adriatik Kalemit, Artur Kalemi, por edhe për lëvizjet e mëtejshme të grupit./zeri