Dubai ka qenë prej vitesh streha më e sigurtë e personave me precedent penalë. Të shumëkërkuar në Shqipëri dhe Evropë, krerët e grupeve kriminale kanë udhëtuar drejt parajsës sahariane ku dhe u është dhënë mundësia të investojnë paratë e tyre të përfituara nga aktivitetet e dyshimta.
Mirëpo, ngjarjet e viteve të fundit, kanë bërë që autoritetet në vendin më popullor dhe më të njohur në Emiratet e Bashkuara Arabe të vihen përpara një vendimi të vështirë, t’i dorëzojnë apo jo njerëzit që mbajnë mbi shpinë akuza të rënda kriminale në duart e shteteve që i kërkojnë për tu dhënë dënimin e merituar.
Një prej tyre është edhe Durim Bami, që është vendosur në pranga nga autoritetet në Dubai, pas shpalljes në kërkim nga Shqipëria. Përveç çështjeve të mëparshme, emri i Durim Bamit u bë kryefjalë në media kohët e fundit pasi ‘zbërthimi’ i aplikacioneve të enkriptuara, zbuloi se ai bashkë me të vëllanë Valter Bami, e anëtarët e klanit “Duka” me të cilët kishte lidhur aleancë, thurnin plane për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, Ervis Martinajt që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 e ushtarëve të këtij të fundit.
Pas arrestimit të tij, qëllimi i autoriteteve shqiptare është ekstradimi i Bamit.
Por, a do të “thyhet” Dubai?
Deri më tani, shqiptari i vetëm që është ekstraduar nga Dubai, me dëshirën e tij, është Bruno Çobo. Të gjithë personazhët e tjerë, të vënë në pranga, pasi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria e vende të tjera, janë liruar pas skadimit të afateve të paraburgimit.
Eldi Dizdari, i njohur ndryshe dhe si Denis Matoshi dhe i konsideruar si kreu i kartelit “Bello”, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, por ekstradimi i tij nuk u bë kurrë i mundur.
Në pranga në Dubai, më herët është vënë dhe Florenc Çapja, një nga drejtuesit e një bande famëkeqe kriminale në qytetin e Elbasanit, por as ai nuk është ekstraduar.
Plaurent Dervishaj, një nga anëatrët e ish-bandës së Durrësit gjithashtu u arrestua, por burgu për të zgjati vetëm 40 ditë.
Mikael Qosja i njohur ndryshe dhe si Kel Kamami, i cili u shpall në kërkim për vrasjen e trefishtë të ndodhur në Bradashesh ku mbetën të vrarë tre persona,Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranaj, u ndalua nga autoritetet arabe, por nuk u ekstradua në Shqipëri.
Dritan Shkëmbi i njohur dhe me emrin Amar u vu në pranga bashkë me Julian Meçen, pasi u akuzuan si të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, por asnjëri prej tyre nuk shkeli në tokën shqiptare.
Tashmë rasti më i nxehtë është precedent Bami.
Praktikisht, pengesa më e madhe përsa i përket ekstradimit është mungesa e një traktati dypalësh ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por, pavarësisht mungesës së kësaj marrëveshjeje, Ministria e Drejtësisë Shqiptare duke shpresëplotë për ekstradimin e Bamit. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh shpresëplotë për ekstradimin e tij, kur tha se i kanë të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare. nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shkresa është në duart e palës arabe dhe pritet shqyrtimi i saj për të parë nëse do të jetë Bami ai që do të thyejë ekstradimin e të shumëkërkuarve.