Banorët e parë që do të shpëronësohen nga pronat e tyre për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar, të marrë me koncesion nga kompania Gener 2 do të dëmshpërblehen në shifra qesharake.
Sipas kërkesës së bërë nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve, një metër katror tokë arë që do të vihet në dispozicion të Gener 2 për ndërtimin e rrugës do të dëmshpërblehet nga 163 lekë për metër katrorë, deri në 448 lekë për metër katrorë.
Agjencia e bazon kërkesën e saj në vlerësimin e tokës arë në një vendim të 2016-s të Qeverisë, ndërsa atë për vlerësimin e pronave truall në një vendim të 23 viteve më parë, edhe pse vlera e truallit është rritur disafish që nga ajo kohë.
Por, përveç Agjencisë së Shpronësimeve, burime të Voxnews.al tregojnë se projekti është devijuar në disa pjesë të tij, për të shmangur kalimin në prona truall, që do të kushtonin më shumë kohë dhe kosto për shpronësim, duke kaluar në tokë arë.
Burimet thonë se ideja e zhvendosjes së gjurmës së rrugës është propozuar formalisht nga kompania Gener 2. Kjo e fundit fitoi koncesionin pas një oferte të pakërkuar. Kostoja e rrugës, në një studim fizibiliteti të Ministrisë së Infrastrukturës të vitit 2019 përllogaritej në rreth 161 milionë euro, për 23 kilometra.
Megjithatë, në propozimin fillestar të saj, kompania Gener 2 ofroi ndërtimin e rrugës për 457 milionë euro. Propozimi u ankimua në gjykatë. Qeveria u tërhoq përkohësisht gjatë protestës së studentëve, për t’iu rikthyer projektit, këtë herë me formulën e koncesionit.
Sipas formulës së miratuar, Gener 2 do t’i kushtojë ndërtimi i rrugës rreth 225 milionë euro. Në këmbim, kompania do të vendosë traun në këtë rrugë dhe vjelë tarifa kalimi për çdo automjet që kalon, në varësi të tonazhit nga 2.5 deri në 9 euro për 35 vite.
Jo vetëm kaq, qeveria del garante me gati 23 milionë euro në tetë vitet e para nëse kompania Gener 2 nuk siguron të ardhurat minimale të vendosura në kontratë nga tarifat e vendosura për kalimin e traut.
Sipas planit të biznesit të kompanisë, përgjatë 35 viteve që do të vjelë tarifën e kalimit për çdo automjet, Gener 2 do të përfitojë mbi 1.3 miliardë euro. Realisht, shifra mund të shkojë përtej 2 miliardë eurove nëse kihet parasysh rritja e fluksit të qarkullimit të mjeteve në këtë aks, por edhe rritja e tarifës për të kaluar.