TROPOJË- Detaje të reja kanë dalë nga krimi i rëndë që tronditi pasditen e djeshme Tropojën, ku mbeti viktimë një i ri, si pasojë e goditjes me mjete prerëse. Autori i dyshuar i vrasjes është 40-vjeçari Saimir Sadiku, i cili ndodhet ende në kërkim, ndërsa viktima është 24 vjeçari Adrian Kuka (Pepkola).
Nga ngjarja kanë mbetur dhe disa të plagosur, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se njëri prej tyre, Shkëlzen Kuka ka marrë afro 15 plagë në trup nga goditjet me thikë.
Viktima dhe dy të plagosurit i përkasin të njëjtës familje Adriani dhe Valmiri janë vëllezër ndërsa Shkëlzenin e kanë djalë xhaxhai.
Krimi i rëndë, autori në arrati
Ngjarja ndodhi në një lokal rreth orës 17:00, ku 40-vjeçari Saimir Sadiku goditi me mjete prerëse 24-vjeçarin, Adrian Pepkola, vëllain e këtij të fundit, 32-vjeçarin Valentin Pepkolaj dhe 45-vjeçarin Shkelzen Kuka.
24-vjeçari Adrian Pepkola u dërgua në spital por nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra duke humbur jetën, ndërsa Saimir Sadiku vijon të jetë në arrati. Ndërkohë janë arrestuar 5 persona që akuzohet se përkrahën autorin e vrasjes i cili ndodhet në arrati.
Personat e arrestuar janë:
-Andrin Qehaja, 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-Xhevolin Macaj, 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
-Altin Shpendi, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-Anton Boçi, 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-Jetmir Kuraj, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë.