Prokuroria e Përgjithshme ka pranur kërkesën e grupit Parlamentar të PD-së të cilët kanë kërkuar me anë të një shkrese zyrtare të nisë verifikimin e figurës së kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.
Burime pranë Kuvendit kanë siguruar shkresën që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar KQZ-së, dhe për dijeni Kuvendit të Shqipërisë, të iniciuar nga kërkesa e 15 deputetëve demokratë.
Sipas demokratëve, Tonin Marinaj, “akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës”.
Në kërkesë pretendohet se Tonin Marinaj si kandidat për kryetar në Bashkinë e Malësisë së Madhe, për zgjedhjet vendore 14 Maj 2023, në kundërshtim me ligjin, në formularin e vetëdeklarimit nuk ka deklaruar të dhënat që lidhen me një hetim dhe gjykim ndaj tij nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Firence të Italisë, për trafikim të lëndës narkotike të llojit mariuanë.
Shkresa drejtuar KQZ-së:
Pesëmbëdhjetë (15) deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zbatim të nenit 7, pika 1 shkronja “a” të ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, me kërkesën e datës 28.06.2024, të përcjellë, nga Shërbimi Administrativ i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bashkëlidhur me shkresën nr.2547 prot., datë 28.06.2024, ka kërkuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme kryerjen e verifikimit të të dhënave të plotësuara, në Formularin e Vetëdeklarimit. nga subjekti Tonin Marinaj, kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe.
Në këtë kërkesë të regjistruar, në Prokurorinë e Përgjithshme, me nr. 860 prot, më datë 28.06.2024, pretendohet se subjekti Tonin Marinaj si kandidat për kryetar në Bashkinë e Malësisë së Madhe, për zgjedhjet vendore 14 Maj 2023, në kundërshtim me ligjin, në formularin e vetëdeklarimit nuk ka deklaruar të dhënat që lidhen me:
Hetimin në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011.10RGNR mod. 21, si dhe gjykimin e tij me kërkesën datë 29 mars 2016, nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Firence të Italisë, për kryerjen nga data 23.5.2010 23.7.2010 të trafikim të lëndës narkotike të llojit mariuanë.
Në referencë të nenit 5, pika 4, gërma “a” e ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, formulari i vetëdeklarimit, për të zgjedhurit dhe kandidatët e organeve të qeverisjes vendore, dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.