Klodian Tomorri
Sekuestrimi i Inceneratorit të Tiranës nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit mbyll burimin e fundit të të ardhurave për bandën mafioze që gatoi aferën e djegësave. Tani kompania koncesionare e inceneratorit kalon në administrim shtetëror njësoj si Fieri dhe Elbasani.
Qeveria është e detyruar të emërojë një administrator publik, i cili do të ketë kontrollin e plotë mbi shpenzimet dhe qarkullimin e parasë në kompani. Pra me këtë akt, SPAK dhe GJKKO kanë ndaluar më në fund gjakderdhjen financiare në aferën e inceneratorëve.
Për shumë kritik, ky mund të jetë një akt i vonuar. Parimisht në çdo krim, ndalimi i gjakderdhjes duhet të jetë veprimi i parë më urgjent. Ashtu siç bëri Bashkimi Europian, kur konstatoi se qeveria shiptare vidhte fondet e bujqësisë.
SPAK ka provuar tashmë prej disa muajsh se inceneratori i Tiranës ishte një aferë e madhe korruptive, më e larta në hierarkinë e korrupsionit për shkak të kapjes së shtetit. Hezitimi për të mos e sekuestruar kompaninë që atëherë ka kushtuar jo pak financiarisht. Vetëm që nga fillimi i këtij viti janë kryer 15 milionë euro pagesa, para të cilat më shumë gjasa tashmë kanë fluturuar në llogaritë offshore të pronarëve.
Megjithatë përtej çdo debati në lidhje me kohën, në aspektin e interesit publik, sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është suksesi më i madh i SPAK dhe reformës në drejtësi. Kjo pasi, nga sot qytetarët nuk vidhen më përmes kësaj vepre.
E megjithatë kjo nuk ishte një goditje e lehtë. Inceneratorët janë një aferë shtetërore. Siç provohet nga dosjet hetimore të SPAK, tre koncesionet e mbetjeve kanë zhytur segmente të tëra të shtetit, në nivel qëndror dhe lokal. Sekuestrimi i sotëm do të thotë automatikisht se në qeveri dhe në bashki ka fajtorë për këtë korrupsion. Tani atyre u vjen radha me detyrim për t’u përballur me drejtësinë.
Jo shumë kohë më parë Edi Rama i cilësonte inceneratorët si vepra suksesi për të cilat ai ndihej krenarë. Por me zhvillimet e fundit del një sukses edhe më i madh për të cilin qeveria duhet të ndihet krenare. Ai është shndërrimi i Farudin Arapit në një nga menaxherët më të mëdhenj në Ballkan.
Sot zoti Arapi menaxhon inceneratorin e Fierit, atë të Elbasanit dhe me shumë gjasa tani do të menaxhojë edhe këtë të Tiranës. Në terma financiarë dhe të aseteve, kjo e ngjit atë në rangun e menaxhorëve që administrojnë hedge fund-et e Ëall Street-it. Dhe asetet që menaxhon zoti Arapi rriten vetëm nga një burim. Nga korrupsioni që ka bërë qeveria. Ky është suksesi më i madh i Rilindjes.