Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i SPAK, në bashkëpunim me autoritetet franceze, që çuan në shkatërrimin e një grupi kriminal, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në krye të këtij grupi kriminal qëndronte shtetasi Redian Doda, i cili u arrestua në Shqipëri, me urdhër të SPAK. Ndërkohë që në pranga ranë dhe shtetasit e tjerë Zabit Fisniku dhe Fabi Isaku, po ashtu pjesë e grupit kriminal.
Zabit Fisniku ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të trafikut të femrave. Vlera e drogës që është sekuestruar e kalon shifrën prej 1 mln eurosh.
Në datën 28 Qershor, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK, për të vënë nën masën e arrestit me burg 3 personat që ndodheshin në territorin shqiptar.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 (dhjetë) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash). Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro. Sipas SPAK, dërgesat me lëndë narkotike ishin ditore dhe dërgoheshin te grupet e shitjes në qarqet Rhone, Ain, Savojë dhe Savojë e Sipërme të Lionit.
Aktiviteti i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri.
Në kuadër të këtij hetimi në Francë dhe në Shqipëri, u identifikuan 19 persona, shqiptarë e të huaj, të pëfshirë në trafikun e drogës, heroinë e kokainës.
Nga këta, në Francë u arrestuan 16 persona, shqiptarë e të huaj. Ndërsa 3 shqiptarët e tjerë u kapën në vendin tonë me urdhër-arresti nga SPAK.