“Me urdhër të Berishës”, ish-drejtori i policisë tregon si u arrestua ‘gangsteri’ i parë shqiptar Esat Valbona
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në studion e emisionit “Opinion” (5 qershor 2024), deklaroi se ‘gangsteri’ i parë shqiptar është Esat Valbona nga Tropoja. Hoxha u shpreh se ai ishte një personazh tejet i fuqishëm dhe se ishte nevojitur një kohë e gjatë për ta prangosur. Valbona ka qenë në traget kur është qëlluar një person që kishte veshur pallton e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdarit. Gazetari tregoi se arrestimi i tij para viteve ’90 ka qenë i vështirë dhe është dashur një skuadër e forcave speciale si alpinistë, e cila qëndroi me javë për kapjen e tij.
“Esat Valbona është ai njeriu që ka qenë në traget kur është qëlluar një person që kishte veshur pallton e Azem Hajdarit. Është arrestuar para viteve ’90, njeri me shumë lidhje, shumë i fuqishëm. Arrestimi i tij pas viteve ’90, e di si është bërë Fevzi? Ka shkuar një skuadër e forcave speciale si alpinistë, kanë ngritur çadrat, me javë.Kanë qëndruar derisa ai ka krijuar besim. Ka zbritur dhe është ulur me ta, kështu është kapur. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për ta kapur,”-tha Hoxha.
Pas deklaratës së gazetarit Artan Hoxha, një reagim ka ardhur edhe nga Hilë Lushaku ish-drejtor i strukturave të Policisë së Shtetit. Lushaku në vitin 1993, kur ndodhi dhe arrestimi i Esat Valbonës ka qenë kreu i forcave RENEA. Ish-drejtori në një regaim të tij ka treguar me detaje se si u bë e mundur arrestimi i ‘gangsterit’ të parë shqiptar.
Lushaku tregon se të shtunën e dytë të marsit 1993, iu komunikua me urdhër të presidetit të asokohe Sali Berishës, detyra për kapjen e Esat Valbonës. Ai rrëfen se planin për arrestimin e tij e hartoi brenda 48 orëve. Në listën e efektivëve bënin pjesë 24 persona. Operacioni u zhvillua nga Vlora në Valbonë. Ai tregon se vetë u vendos në Koman dhe në ndihmë i erdhi një çoban që asokohe e ndihmoi për zgjedhjen e rrugëkalimeve nëpër alpe. Lushaku tregon me detaje intinerarin që ndoqi. Pas arrestimit Esati u soll në Tiranë me helikopterin presidencial.
REAGIMI I PLOTĒ:
Arrestimi i Esat Valbones?
Po me shkruan nje mik te tregoj te verteten.
Jam thirr nga ministri Kopliku te shtunen e dyte te marsit 1993.
Me komunikon detyren per kapjen e Esat Valbones ne Tropoje, me “urdher te 1-shit” (Sali Berishes).
Me tha nje fakt te hidhur “han e pin me gjysmen e specialeve”.
Ishte dileme e madhe dhe e dhene e frikshme.
Te djelen kisha planifikuar te çlodhem me familjen, por anullova çdo gje. Bashkeshortja kuptoi se kisha nje brenge. Per 48 ore hartova e prisha plane te pafundme.
Te henen, ora 07.00, i komunikova trupes speciale se duhet te shkojne ne klubet sportive te gjejne çanta alpine deri ne dreke dhe te njoftojne familjet se mbasdite do te kene sherbim. Hartova nje liste me 24 vete. Ne oren 20.00 rreshtova efektivin me te gjitha pajisjet futur ne çantat alpine. Urdherova personat e listes te hipin ne autobuzin e repartit, ndersa te tjeter me shpejtesi ne dhomat e fjetjes.
Hipa ne autobus dhe legjendova nje situate sikur ne Çipin, Vlore, eshte desantuar nje grup znulues-diversionist me qellim goditjen e bazes detare ne Porto Palermo. Caktova pergjegjesin e automjetit (e kisha thirrur me pare dhe i kisha caktuar rrugekalimin dhe vendin e takimit me mua, ne Tropoje. Vete dola ne Koman dhe ne nje te ftohte brisk me nje varke zbrita ne Fierze, shkova ne komisariat ku me priste A.M. shef komisariati. E porosita te mos sjelle ne zyren ku isha une asnje person, pervec atyre qe i kisha kerkuar, qe njihnin vendin ndersa ai vete do te mblidhte informacionet e fundit per vendndodhjen. Interesant ishte takimi me nje “çoban”, qe me ndihmoi per zgjedhjen e rrugekalimeve neper alpe. Nderkohe mora info se ne 24 oret e fundit ka qene ne Kerrnaje kur ka levizur. Vendosa te provoj ne bazen tjeter, Valbone. Sapo u ngrys, dola i maskuar nga komisariati dhe shkova ne piketakimin me efektivin. Komunikova detyrat e precizuara dhe nisem marshimin. Ne kohen e planifikuar mberritem ne objekt. Kryem nje operacion te veshtire, spektakolar. Esati u soll ne Tirane me helikopterin presidencial. Hollesite e tjera do i lexoni ne nje histori kriminale shume te kendshme.
Vrasja e Esat Valbonës
Biznesmeni Esat Valbona që jetonte prej vitesh në Shkodër u qëllua për vdekje në 15 maj 2008, teksa po ecte në këmbë në një rrugë të lagjes “Xhabie”. Edhe pse kanë kaluar shumë vite ngjarja ende nuk është zbardhur pasi, në vendin e ngjarjes nuk u gjet asnjë gëzhojë apo shenjë tjetër që mund të shërbente si provë materiale.