Skemë mashtrimi me kredite te Fondi Besa , nga Ledio Vrapi te drejtoresha Lindita Ndroqi dhe noterja Majlinda Demollari. Si funksiononte
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masa sigurie arrest me burg dhe arrest shtëpie për 4 punonjësit e Fondit “Besa” dhe noteren, që dyshohet se kanë mashtruar qytetarët duke marrë pa dijeninë e tyre kredi, ndërsa kanë përvetësuar paratë. Bëhet fjalë për shumë qytetarë dhe shuma të mëdha parash duke u kthyer kështu në rastin e radhës të mega mashtrimeve që bëhen në Fondi Besa. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2019 ku skema përfshinte drejtorë të Fondit Besa.
Ndërkohë sot, sipas njoftimit zyrtar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, personat në fjalëduke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.
“Shtetasi Ledio Vrapi, ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare.
Po kështu, shtetasi Ledio Vrapi, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.
Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi Ledio Vrapi, ka bashkëpunuar me shtetasit Eros Aliu dhe Linda Peci, të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar.
Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen Lindita Ndroqi, e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm”, thuhet në njoftim.
E përfshirë në këtë skemë sipas policisë është edhe noterja Majlinda Demollari, e cila sipas bluve ka noterizuar dokumentet pa qenë present palët kredimarrëse.
“Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera”, njofton policia. /korrieri