Pas vrasjes së të birit Andi Maloku në atentatin mafioz te mbikalimi i Shkozetit, Genci Maloku kërkonte drejtësi për djalin e vetëm. Andi Maloku ishte shofer i ish prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj dhe pasditen e 1 nëntorit 2019, po udhëtonte bashkë me të nga Durrësi drejt Tiranës.
Në makinë udhëtonte si pasagjer edhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi. Hetimet e SPAK tregojnë se grupi kriminal i drejtuar nga Plarent Dervishaj tashmë i vendosur në Dubai organizoi dhe financoi atentatin te mbikalimi i Shkozetit. Motivi lidhej me atentatin që më herët i ishte bërë vetë Dervishit dhe dyshimet i kishte të Rrumi.
Por krahas Arjan Ndoj dhe Rrumit, në listë për t’u vrarë sipas SPAK, grupi i Plarent Dervishaj futi dhe Genci Malokun babain e shoferit të ndjerë. Siç del nga përgjimet përpjekjet e Genci Malokut për të mësuar të vërtetën për vrasjen e djalit e kishin shqetësuar grupin kriminal edhe në kushtet kur në Gjykatën e Posaçme ishte arrestuar Redian Rraja nipi i ish deputetit socialis Rrahman Rraja që kishte vepruar si ekzekutor në atentatin e 1 nëntorit 2019 dhe bashkëpunëtori i tij Arjol Halilaj.
Pavarësisht përpjekje, grupi kriminal nuk ia doli ta vinte në jetë planin. Andi Maloku shoferi i ish prokurorit rezultonte nga ana tjetër pronar i një sipërfaqe të madhe toke në bregdet, pronë e cila sipas hetimeve dyshohet të jetë tjetërsuar nga Rrumi.