Zbardhen detaje të reja të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili së fundmi mbronte interesat e ish kryeministrit Sali Berisha, që po hetohet nga SPAK nën dyshimet për korrupsion.
Sipas burimeve të policisë rezulton se Mëngjesi është goditur me sende të forta, nga 3 persona të maskuar, në momentin kur ishte duke dërguar djalin e mitur në kopësht. Ngjarja është regjistruar në orën 08.30 e mëngjesit afër kopshtit nr. 31 në Tiranë.
Dyshohet se agresorët e kanë ndjekur avokatin e ish kryeministrit kur ka dalë nga banesa e tij dhe janë afruar duke e goditur me doreza metalike. Sipas mjekëve të spitalit të Traumës, mbrojtësi ligjor ka dy fraktura në kokë, por është jashtë rreziku për jetën.
Për të bërë të mundur identifikimin e autorëve, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa pritet të marrë dëshminë e avokatit të dhunuar. Paraprakisht ka dyshime se Mëngjesi kishte konflikte për një process gjyqësor që lidhej me pronat.