Qytetarët që po paguanin kreditë e tyre të prapambetura pranë Micro Credit Albania dhe Final Sha janë ende të paqartë për mënyrën se si do të veprohet me pagesat e tyre, tashmë që këto dy institucione nuk do të operojnë më në Shqipëri. Bëhet fjalë për gati 33 mijë qytetarë dosjet e të cilave janë duke u shqyrtuar nga Banka e Shqipërisë. Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës lëshoi 9 masa sigurie për për përfaqësues të institucioneve mikrofinanciare dhe përmbarues privatë, mori vendimin të bllokonte aktivitetin e Micro Credit Albania dhe të Final, disa muaj pasi i kishte pezulluar licensën dhe aktivitetin.
Ky lajm u pasua me një tjetër.
Dy ditë më vonë, Banka e Shqipërisë njoftoi të gjithë qytetarët që kishin marrë kredi tek këto dy institucione, që të paraqiteshin dhe të plotësonin një formular ankese. Më pas, sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë do të ristrukturohen dhe do të paguhen në bankat e nivelit të dytë, ku qytetarët i kanë tërhequr ato fillimisht.
Ankesa e qytetarëve mund të dërgohet në adresën e emailit të Bankës së Shqipërisë, public@bankofalbania.org, ku përfshihen të dhënat e qytetarëve, zyrën me të cilën kanë lidhur marrëveshje për të paguar paratë dhe objektin e ankesës së tyre.
Aktualisht, janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat presin përgjigje në një proces që duket se do të marrë kohë për përgjigje.
Skema e zbërthyer nga Prokuroria:
Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra. Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, Gazeta denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera.
Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë.
Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet.