Pallati pa rrjeta dhe mbrojtëse, punëtori vdes pasi ra nga lartësia te Latif Miha , arrestohet Gerald Krrashi , vëllai i viktimës kërkon drejtësi
Adrian Fejzullahu, 53-vjeçari, i cili humbi tragjikisht jetën këtë të hënë në vendin e punës, në një pallat në ndërtim kishte vetëm 5 ditë që kishte filluar punë. Ai ishte nisur si çdo ditë, pa e ditur se kjo e hënë do të ishte dhe dita e fundit e jetës.
Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në një pallat në ndërtim e sipër nga kompania “Andi Konstruktion”. Në momentin që ka rënë nga kati i 7 i pallatit, Fejzullahu ka qenë duke ngritur kovat me llaç.
Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se administrator i komanisë që po ndërton pallatin, është Latif Miha, i cili është dhe nënkryetar i shoqatës së ndërtuesve, por dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Miha është 100% aksioner i kompanisë.
LATIF MIHA 100% AKSIONER I KOMPANISË “ANDI KONSTRUKSION”
Pavarësisht se mban dhe detyrën e kreut të shoqatës së ndërtuesve, i cili duhet të ishte dhe shembull i respektimit të rregullave në punë, në fakt e vërteta është ndryshe. Siç mund të shihet dhe nga fotot, kompleksi ku humbi jetën 53-vjeçari mëngjesin e sotëm nuk ka as rrjetë mbrojtëse dhe as skela.
PAMJET NGA PALLATI KU PO NDËRTOHET, NUK KA AS RRJETË MBROJTËSE AS SKELA
Mdërkohë në një prononcim për Report Tv, vëllai i viktimës ka deklaruar se ata kërkojnë drejtësi. Sipas tij, i ati i pronarit të pallatit u kishte thënë se kompania është e gatshme që të mbulojë shpenzimet, ndërsa shton se pas denoncimit të bërë prej tyre janë arrestuar vetëm dy perosna.
Vëllai i viktimës: Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait, pasi i kisha rënë më herët në celularë. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte në Kinostudio. Pasi më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. Pastaj më tha se është e te morgu se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme. Këto thonë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë. Ne kërkojmë drejtësi nga shteti. Shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet, do paguajmë varrimin. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet. Duam drejtësi si ka lënë gruan dhe nënë 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese.
Ndërkohë faktin se në kantier nuk kishte kushte pune e ka pranuar dhe Inspektoriati i Punës. Në një prononcim për Abc News, përgjegjësi i inspektimit, Armando Loga tha se në objekt kishte mungesë skelash.
Armando Loga: Sapo morën vesh lajmin kemi qenë në objekt ku ndodhi incidenti. Kemi marrë të gjitha të dhënat, është bllokuar objekti. Është marrë masë urgjente dhe janë pezulluar të gjitha punimet në atë objekt. Punojnë vetëm ata që po merren me masat e sigurisë, ngritjen e skelave për të parandaluar incidente që mund të ndodhin në të ardhmen. Nga pamja fizike kishte mungesë të skelave. Procesi i inspektimit tashmë bëhen në portalin e inspektimit, çdo dokument që vërtetohet nga inspektorët nuk kanë asnjë mundësi ta shmangin apo tjetërsojnë sepse ngarkohet menjëherë në portal dhe nuk tolerojnë dot subjektin.
Vetëm këtë muaj në vend kanë humbur jetën 5 punëtorë në vendin e punës. Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatoriArmand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj. Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori i ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni. Ndërsa sot Adrian Fejzullai. Të gjitha rastet bashkohen në një pikë…në mosrespektimin e rregullave në punë. Deri më tani nuk ka asnjë reagim serioz nga institucionet që kanë përgjegjësi për kushtet e punëtorëve, por mbi të gjitha për jetën…
Arrestohet Gerald Krrashi
Gerald Krrashi, përgjegjës i kompanisë nënkontraktore që kryente punimet në pallatin ku humbi jetën këtë të hënë 53-vjeçari Adrian Fejzullai është vënë në prangat e Policisë së Tiranës. Raportohet se ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave në punë, me pasojë vdekjen”. Fejzullai kishte 5 ditë që kishte filluar punë në kompaninë “Andi Konstruksion”, e cila është në pronësi të Latif Mihës, i cli mban dhe detyrën e nënkryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve.