Vëllai e nisi nga Shqipëria, Fatbardh Çuni priste 7 kg kokainë në Angli
Është zbardhur identiteti i personit që do të priste, sasinë prej 7.3 kilogramësh kokainë që u kap të shtunën në portin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Durrësit, personi që do të priste lëndën narkotike në Britaninë e Madhe është shtetasi Fatbardh Çuni. Ndërkohë që më herët për këtë sasi droge janë vënë në pranga Mentor Çuni dhe Arjan Doçi.
Ata kanë deklaruar se porosinë e kanë marrë nga një person në Tiranë, të cilin nuk e njohin. Sipas tyre, personi që do të merrte drogën do të vinte vetë tek furgoni në Angli. Furgoni i linjës Shqipëri-Angli, i kompanisë “Bledi Travel”, do të shkonte fillimisht nga Durrësi në Bari e më pas drejt Anglisë, ku kishte destinacionin final.
Të arrestuarit kanë thënë para grupit hetimor: Porosinë e morëm nga një person në Tiranë. Nuk e dimë identitetin e personit që na dha drogën. Personi që do merrte drogën do vinte vetë te furgoni, nuk e njohim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vijon operacioni policor i koduar “Pakot”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me autoritetet doganore të portit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.
Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.
Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli.
Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.