Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka denoncuar institucione të tjera zhvatëse si “Micro Credit Albania”.
“DHKPGJ” ka reaguar për masat e sigurisë që ka dhënë sot Prokuroria e Tiranës, për 9 përmbarues gjyqësore dhe administratorë të kompanive të mikrokredive.
Në një reagim publik pas arrestimeve të kërkuara nga Prokuroria, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë thotë se 4 vite më parë, ishin pikërisht ata që kërkuan nga Ministria e Drejtësisë që të njoftohej Banka e Shqipërisë për aktivitetin e “Micro Credit Albania”. Por ndër rreshta kanë edhe një denoncim tjetër.
“Skema e mashtrimit ka ende shumë protagonistë të tjerë, të cilët janë aktivë sot, të paprekur, të mirëorganizuar, që po vazhdojnë të krijojnë pasoja publike duke e dërguar skemën e nisur në vitin 2015, në nivele fundore kriminale. Banka e Shqipërisë ka patur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, mes 5 shoqërive të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk ka vepruar duke e mbajtur këtë aktivitet kriminal brenda perimetrit të “mbikëqyrjes” së saj, brenda perimetrit të sigurisë së zhvillimit pa pengesa të këtij aktiviteti dhe brenda perimetrit të përgjegjësisë direkte të saj,”-shkruhet ndër të tjera në reagimin e tyre zyrtar.
Dhoma Kombëtare kërkon edhe falje ndaj personave të dëmtuar nga skema e përmbaruesëve duke u shprehur se të gjithë janë të denoncuar prej tyre, duke i bërë edhe një thirrje Strukruës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Inkurajojmë SPAK të ndërmarrë veprime aktive për të izoluar dhe minimizuar sadopak pasojat e rënda që kanë ardhur për mijëra qytetarë shqiptarë, për shkak të lejimit të funksionimit të kësaj skeme të mashtrimit masiv, nga përgjegjësit e identifikuar të saj!,”-shton ndër të tjera “DHKPGJ”.
Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, 9 persona u vendosën në masë sigurie, disa në burg e disa të tjerë në shtëpi, pasi akuzohen për disa vepra penale. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.