Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ngriti shqetësimin në “Top Story” për sigurinë e shefit të SPAK-ut, Altin Dumani.
Ai tha se pas takimit me deputetët ishte nervoz dhe sipas Karamuços, para një jave kryeprokurori Dumani është ndjekur nga dy makina nga pas.
“Unë e pashë edhe dje edhe ishte pak i axhituar, nervoz, ka një trysni nuk e shfaq por e vuan shumë. Para një jave Dumani është përndjekur nga 2 makina mbrapa ku kanë dashur ta fotografonin se ku po shkonte, atij i është dashur që të lërë një makinë jashtë edhe me të blinduarën është futur brenda. Ai është personi më i kërkuar në Shqipëri e shihet me lupë çdo ditë”, u shpreh Karamuço.
Nga ana tjetër analisti Arjan Curri tregoi edhe mesazhet kërcënuese që sipas tij kanë ardhur në adresë të kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani.
“Dumani ishte i trembur dje, ne jemi edhe specialistë të trupit, unë pashë një Duman të trembur. Unë kam informacion se mbas publikimit të fletëve të arrestimit të 50 vetave, Dumani ka marrë një kërcënim në telefon me tekst që ‘ti edhe 4 vite ke, por mua do me kesh gjithmonë nga mbrapa’. E ka marrë këtë mesazh nga një numër me prejardhje nga Dubai, një numër njëpërdorimsh dhe ky numër nuk ekziston më.
Fëmijët e Dumanit janë në Shtetet e Bashkuara, janë studentë edhe jeta e tyre është e mbyllur ehe bashkëshortja e tij vete i viziton, Dumani ka pikë të dobët se është familjar, baba. Problemi i tij është se çfarë do bëhet me mua kur të mbarojë mandati ne jemi pa strehë. Vetëm nëse Dumanin e marrin Shtetet e Bashkuara i japin një strehim atje, po të tjerët”, u shpreh Curri.