SKANDAL/ Gentjan Kamberi braktisi te Ministria e Drejtësisë 104 thasë me dokumente që faktonin si banda e MCA zhvati mijëra familje shqiptarë
Asnjë nga përmbaruesit që u është hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar që të zbatojë ligjin për të dorëzuar dosjet përmbarimore që kanë patur për veprim. Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Korrieri, rezulton se një prej tyre është edhe Gentjan Kamberi.
Prokuroria shprehet se Kamberi ka braktisur në hollin e Ministrisë se Drejtësisë në datën 14.10.2019 dhe në datën 16.10.2019, 104 thasë me dokumente përmbarimore. Në këtë mënyrë, Kamberi nuk ka respektuar ligjet dhe rregullat e përcaktuara.
Pjesë nga dosja:
Nga aktet e administruara provohet se ish-përmbaruesit e kallëzuar nga Ministria e Drejtësisë qe me pare u ishte hequr licenca e profesionit kanë refuzuar të dorëzojnë konform rregullave të përcaktuara dhe ligjit dosjet përmbarimore qe kanë patur për veprim dhe është e vërtetuar qe 104 thasë me dokumente përmbarimore te cilat janë braktisur ne hollin e Ministrisë se Drejtësisë në datën 14.10.2019 dhe në datën 16.10.2019. Personi që i ka shkarkuar duke i braktisur nga hetimi rezulton te jete shtetasi Gentjan Kamberi.
Gentjan Kamberi ishte postier dhe punonjës i shoqërisë Albanian Debt Collection dhe dosjet që dorëzoi i përkisnin shoqërive përmbarimore ZiG shpk, STAR dhe FS.
Dje Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 9 masa sigurie arrest me burg dhe arrest në shtëpi, për përfaqësues të kompanive të mikrokredive, si dhe përmbarues privat. Bëhet fjalë për: Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Arben Meskuti, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro.
Në këtë mënyrë është faktuar skema e vjedhjes dhe shantazhimit të qytetarëve përmes mikrokredive, të cilët u janë bllokuar pronat apo llogaritë bankare.
Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.