Tre menaxherët e kioskave te sheshi “Skënderbej” Denis Baxhaku , Ermand Hoxha dhe Teo Kalemiço dhunuan barbarisht punonjësin 20-vjeçar, e morën zvarrë
Detaje të reja janë zbardhur për marrjen peng të 20-vjeçarit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Sipas Klan News, gjithçka nisi te fikja e dritave në një moment të dielën teksa po mbahej një koncert në shesh.
Përpos rrëmujës së madhe, menaxherë të kioskave kanë kuptuar që kanë dalë minus në xhirot e fitimeve të një nate më parë. Ata kanë nisur presionin ndaj punonjësve, duke pretenduar se u janë vjedhur shuma të mëdha parash.
Rreth 60 punonjësve u janë kërkuar të kthejnë paratë, por në veçanti tek njëri prej tyre, 20-vjeçari, tek i cili kanë dyshuar më shumë.
Denis Baxhaku, Ermand Hoxha dhe Teo Kolemiço e kanë marrë zvarrë, e kanë futur në një kamion, e kanë dhunuar, madje të riut i ka rënë të fikët. Edhe pasi është përmendur, e kanë dhunuar në pjesë të ndryshme të trupit.
Të tre autorët kanë rënë në prangat e policisë, pas denoncimit të 20-vjeçarit. Në kërkim rezulton një person tjetër.
Mësohet po ashtu se tre menaxherët janë të paqartë në deklarimet e tyre, pasi pretendojnë se u janë vjedhur njëri 10, tjetri 20 dhe i treti 70 milionë lekë të vjetra.
Njoftimi i policisë
Tiranë
I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat:
- u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
- u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin “Skënderbej”, një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici.
Materialet i kaluan Prokurorisë.