Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dalë pas rreth tre orësh nga ambientet e SPAK.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Balluku ka bërë me dije se është marrë në pyetje nga oficerët e BKH-së në lidhje me inceneratorin e Tiranës, si person në dijeni të hetimit.
Balluku deklaroi se drejtësia ka punën e saj dhe se e mbështet. Sipas saj, kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë të mirën nga e keqja dhe punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.
“Ishte një thirrje për dosjen 255, që është dosja e inceneratorit të Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e vërtetët e pushteteve. Qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mire të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.” – tha Balluku për mediat.
Me anë të kësaj deklarate, Balluku pranon indirekt se inceneratori i Tiranës, për të cilin janë paguar miliona euro dhe nuk ekziston, është një abuzim i pafalshëm.
Belinda Balluku u paraqit rreth orës 16:00 në SPAK me fletë-thirrje nga prokurori Dritan Prençi, i cili po heton inceneratorin e Tiranës, hetimet për të cilin janë drejt fundit.
Fletë-thirrja ndaj Belinda Ballukut vjen pak kohë pas asaj ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili dëshmoi para oficerëve të BKH-së në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Vlen të theksohet fakti se në lidhje me inceneratorin e Tiranës, Belinda Balluku përmes një shkrese me datë 10 korrik 2023, iu drejtua kryebashkiakut Erion Veliaj ku i thotë shprehimisht se dy anëtarët e Bashkisë Tiranë në Njësinë e Zbatimit të Projektit (NJZP), kanë bllokuar prej më shumë se dy vitesh punën e kësaj strukture.
Si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, pasardhëse e Gjiknurit, Belinda Balluku mban përgjegjësi edhe për pagesat ndaj inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.