Ervin Mete fsheh prej tre javësh transaksionet e thesarit , kujt po i shërben ministri i MJAFT?!
Qeveria fsheh transaksionet e Thesarit, pra pagesat që ajo kryen për operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Prej tre javësh, Ministria e Financave nuk përditëson të dhënat e pagesave buxhetore, duke shënuar një ndër rastet më të rënda të mungesës së transparencës.
“Boldnews.al” kreu verifikime në faqen zyrtare të internetit të Financave. Deri mesditën e kësaj të Premteje (dt. 10.05.2024), rezulton se informacioni i fundit i përket datës 19 Prill 2024.
Publikimi i përditshëm i transaksioneve të Thesarit është një detyrim ligjor për ministrinë e drejtuar nga Ervin Mete.
Të dhënat u shërbejnë ekspertëve të ekonomisë, operatorëve ekonomikë, medias investigative dhe publikut të gjerë, për të kuptuar se si shpërndahen taksat e qytetarëve.
Por, qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Financave, duket se ka vendosur që të fshihet dhe të vështirësojë sa të mundet kontrollin publik mbi aktivitetin e saj.
Në fillim të vitit 2024 ishte e njëjta situatë, kur të dhënat e transaksioneve të Thesarit nuk u përditësuan për disa javë. Në atë kohë, zyrtarë të Ministrisë së Financave u justifikuan me faktin që po ndryshohej faqja zyrtare e internetit dhe ekspertëve që po punonin u duhej disa ditë kohë për të transportuar të dhënat nga portali i vjetër në atë të ri.
Por, tashmë që ai problem teknik është zhvilluar, pasi faqja e re e institucionit është e aksesueshme, rrëzohet pretendimi i mos-hedhjes së të dhënave të Thesarit për shkak të çështjeve të Teknologjisë së Informacionit.
Vonesat e ekzagjeruara në përditësimin e transaksioneve publike nuk janë edhe aq rastësore.
Në këtë mënyrë, qeveria, nëpërmjet Ministrisë, u vështirëson përpunimin e të dhënave dhe, rrjedhimisht edhe kërkesën e llogarisë për mënyrën se si shpërndahen fondet publike, grupeve të interesit dhe ato “ëatch-dog” që monitorojnë aktivitetin financiar.