Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me ekzekutimin e Roan Brahimit allias Sidorel Prendit nga Pllana e Lezhës, tre ditë më parë në Greqi. Mësohet se ai është kunati i Ilir Beqarajt, i cili akuzohet se ka qenë transportues i grupi të vrasësve që ekzekutuan Gentjan Bejtjan në oborrin e banesës në Larushk. Kështu shtohen dyshimet se ai mund të ketë pasur “gisht” dhe në ekzekutimin e Bejtjas. Ilir Beqaraj allias Ilir Brahimi ndodhet në burg, së bashku me Edison Haxhiun.
Për vrasjen e Gentjan Bejtjas dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora, ndërkohë vrasja dyshohet se është porositur në Dubai, aty ku dhe fshihej Roan Brahimi prej disa kohësh. Sidorel Prendi njihet si njeri me rekorde kriminale në qarkun e Lezhës dhe me lidhje të forta me grupet kriminale.
Brahimi u ekzekutua në sy të gruas së tij, Katerina Beqo 37 vjeç, dhe djalit të mitur, i cili ishte duke luajtur në parkun afër vendit të ngjarjes. Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, por ka lëvizur edhe në vende të tjera, më konkretisht në Spanjë, Itali dhe Francë. Por ka pasur dyshime edhe se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi. Atje e gjetën me vigjilencën e ulët dhe e ekzekutuan. Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët.