“Sudja” Fondi BESA , qindra qytetarë viktima të mashtrimeve me kreditë
E ashtuquajtura “Sudja” e Fondit Besa, Albana Imami e cila u shpall fajtore dhe u dënua bashkë me një sërë emrash të përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi vijon të përbëjë shqetësim për banorët e Nishtullës në Durrës.
Të gjitha viktimat e kësaj skeme që nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili.
Por edhe pse vitet kanë kaluar dhe autorët janë ndëshkuar, qytetarët e kësaj zone janë ende debitorë dhe nuk mund të rifinancohen nga asnjë bankë. Kushti për rifinancim është shlyerja e gjithë kredisë bashkë me kamatëvonesave që shkon deri në vlerë 10 apo 12 milionë lekë të vjetra.
Të gjendur në këtë situatë, ata denoncuar pranë redaksisë së ZËRI-t dhe kërkojnë drejtësi. Një nga një, rrëfejnë se kanë shkuar në dyert e Fondit BESA dhe kanë kërkuar shpjegime nisur nga fakti që dosja e bujshme e vitit 2019 është mbyllur nga drejtësia dhe mashtruesit janë ndëshkuar, e për rrjedhojë ‘viktimat’ e vetme të historisë nuk mund të vijojnë të paguajnë krimet e ish-vartësve të këtij institucioni.
RRËFIMET E QYTETARËVE:
Qytetari i parë:
Quhem Ferdinand Zeqiraj, merrem me muzikë, familjar, tre kalamaj, unë, nusja, dy pleq. Na kanë zhytur me një bela. Kam shkuar diku me një bankë tjetër me marr për punët e mia dhe aty më thanë ti je kredimarrës i keq dhe rezulton me të kuqe. Nga kush e vlla thashë, më tha mua nga kjo bankë. Ou? Me një fjalë ngela, i mora në telefon fillimisht, më tha, po rezulton. Më treguan, hajdë këtu filan vend, filan orë, kam shkuar tek zyra e madhe në Laprakë e Fondi Besës. Aty më nxorrën një kontratë pa lidhje, shkrimet tjetër për tjetër, firma tjetër për tjetër. Kontratën nuk ma dhanë. Në kontratë thuhet që unë jam kredimarrës tek ato dhe jo pak por gjashtë milion e ca, kishte kap kamatat kishte shkuar tek 11 milionëshi. Para ca kohësh më sollën një zarf që nuk bëhet fjalë që ishte presion dhe thanë në rast se ti nuk vazhdon të paguash lekët, ne do të të ndjekim penalisht tek zyra e përmbarimit. Mora zarfin, i mora prapë në telefon, jo po nuk kemi kohë për të të takuar. Nuk po japin asnjë lloj zgjidhjeje. Si puna ime janë shumë. Bashkëshortja e merr rrogën në bankë, kurse unë i kam bërë dorazi gjithmonë nga kjo frikë. Edhe makinën që e kam, e kam në emër të plakut, nga frika se mos bëjnë diçka. Nuk kam asgjë përsipër sepse e kanë thënë, ne do të vazhdojmë ndryshe. Dua të më heqin emrin, për mua është një pengesë, pengesë shumë e madhe.
Qytetari i dytë:
Unë jam Spartak Abazi, merrem me ndërtim. Unë sot punoj me rregullat shtetërore dhe më kalojnë në bankë lekët. Çdo lek që më kalon në bankë unë kam frikë ta tërheq sepse ma bllokon dikush. Ne sot kemi shqetësimin që po të shkojmë në një bankë për të kërkuar një kredi për problemet tona personale, nuk mund të terheqim një kredi sepse emri ynë është në sistem. Vëllai i dhëndrrit tim, Kujtim Hamzai, i kanë thënë gjej persona që të bëjmë bamirësi, do i kalojmë një 300 mijë lekësh. Na thanë do hapësh një llogari në filan bankë. Hapëm numrin e llogarisë. Na kanë marrë në telefon pas një jave, hajde thanë se ka dalë bamirësia jote, në Tiranë kur shkova unë, më erdhën dy persona. Do futesh në bankë më thanë, do tërheqësh lekët. Më kalojnë 6 milion e 300 mijë lekë. Në momentin kur unë doja t’i merrja paratë, vjen personi i tretë i merr paratë të gjitha. Kur dalim jashtë, numëron 300 mijë lekë, urdhëro tha, ke mbaruar punë, ik. Merri këto, mos fol. U largova. Unë e kuptova kur kam shkuar të marr kredi tek një bankë dhe më kanë thënë je debitor. Kam pyetur ku jam debitor, tek Fondi BESA. Më kanë thënë që ne do të kalojmë në përmbarim, ti do paguash të gjitha detyrimet në të kundërt falimenton, do të të marrim shtëpinë, pronat. Unë jam vetë i dhjeti në shtëpi, në familjen time punojmë dy persona. Punojmë dy, hajmë tetë. Kam tetë fëmijë. Një djalë që kam të madh, e marr me vete në punë, është 22 vjeç. Kemi një pagë që marrim diku tek 400 mijë lekëshi në muaj. Dy persona punojnë, 400 merr djali, 400 unë. Nuk kemi mundësi tjetër që të jetojmë ndryshe.
Qytetarja e tretë:
Jam nëna e Alketa Zeqirajt, kam vajzën të përfshirë në këtë çështje tek ato 300 mijë lekëshat që kanë marrë tek Fondi BESA, që kanë ardhur njerëzit këtu dhe na kanë mashtruar, u kanë thënë hajdeni se do bëjmë bamirësi. Faktikisht, as bamirësi s’ishte, as asgjë. Erdhën këtu, morën kartat e fëmijës, gocës, e cila është e martuar, ka dhe një fëmijë dhe një numër llogarie ka nxjerrë goca. Se çfarë kanë bërë me kartën, çfarë s’kanë bërë, nuk dimë gjë. Kur vajtën, tërhoqën lekët, i dhanë vetëm 300 mijë lekë. Për këtë punë, vajza nuk merr dot kredi, është bllokuar në të gjitha bankat e shtetit. Se kur do të zhbllokohen këta njerëzit dhe pse janë bllokuar, kur drejtoresha e Fondit BESA e ka marrë dënimin, për vete është e larë tani. Këta njerëz të rrinë të bllokuar? Për halle për probleme familjare janë bankat. Kërkesa ime është të zhbllokohen, të hiqen emrat e të gjithë njerëzve që ka bllokuar Fondi BESA.
Qytetarja e katërt:
Jam Rronja Haxhia, erdhën këtu, na kanë mashtruar, na morën kartën, bëra një numër llogarie. Mora lekët, na dhanë 300 mijë lekë dhe ika. Djalin e kam të ndarë, ai ka nevojë me marr kredi, nuk merr dot se e kam akoma në bashkim familje.
Qytetari i pestë:
Jam Artan Roçi, jam përfshirë dhe unë si puna e këtyre, erdhën 3-4 veta atëherë, thanë do u japim një fond romësh, keni nga 300 mijë lekë, hapnivetëm një numër llogarie dhe kartën. Hapëm një numër llogarie tek Fondi BESA. Shkova e nxorra atë aty, ia dhashë në dorë, më jep edhe kartën më tha mua. Do vish për tre ditë më tha, do të të marr në telefon që të marrësh 300 mijë lekëshin. Shkova në Turanë, më dhanë 300 mijë lekë, faleminderit i thashë edhe ika. Shqetësimi im është që dua të marr ndonjë lekë, se punoj më një motor nëpër plehra, edhe sot të shkoj të marr, edhe tre veta të jesh në punë, 10 milionë lekë s’ti jep njeri. Si ka mundësi që mi dhanë mua pa punë, pa siguracion, ku e kanë marrë kët besim ata, as më kanë ardhur në shtëpi të shohin shtëpinë, as asgjë, hiç fare. Kërkesa ime është të heqin emrin nga sistemi. Po qe puna tek 300 mijë lekëshi po ua japim, se kaq kemi mundësi dhe t’ua japim biles nga 50 mijë lekë e nga 30 mijë lekë se s’kemi mundësi më tepër. Kaq desha unë, asgjë tjetër.
Qytetari i gjashtë:
Quhem Gëzim Alko, edhe unë si shokët e tjerë që janë përfshirë në këtë, nuk dinim gjë se çfarë ishte kjo. Vajtëm atje, dhamë kartën, morëm 300 mijë lekëshin. Kur vajta unë për dasmën për çunin për të tërhequr lekë, ke 10 milionë lekë më thanë mua. U habita, nga janë ato 10 milionë lekë i thashë unë. Ke marrë kredi tha. Ku kam marrë kredi i thashë unë? Unë kredi kur martova gocën, kam marrë 2 milion, mezi mi dhanë, që kam dhe nusen në punë, edhe vetë në punë. Kërkesa është të na hiqen këto, çfarë është kjo kështu.
Qytetari i shtatë:
Ali Hamiti, edhe unë si gjithë shokët e tjerë na erdhën njerëz na mashtruan, na thanë hap thjesht një llogari bankare, e kemi hapur edhe mundohem tani që ta marr një kredi dhe nuk e marr dot sepse më thonë je me vizë të kuqe. Kërkesa ime është që ta heqin këtë sistemin që të marrim kredi.
Qytetari i tetë:
Djali im, Enea Zeqiraj, ka shkuar në Tiranë, e kanë mashtruar, i kanë thënë, do tërheqësh 6 milionë lekë, janë për romët. Shkoi djali, i tërhoqi, ndërkohë që ia marrin 6 milionë lekë dhe i japin 300 mijë lekë. Para një viti, afërsisht 6-7 muajsh, na kanë thënë, jeni debitor tek Fond iBESA sepse keni marrë kredi. Ka shkuar të marrë një kredi djali, i del kjo tek Fondi BESA. I kanë thënë duhet ta shlyesh këtë kredi, me gjithë shtesa me gjithë gjëra. Ata na kanë bërë dhe një vërejtje tjetër, na kanë kërcënuar, na kanë thënë do ju çojmë në burg, në rast se ju nuk bëni shlyerjen e kësaj lloj kredie. Ne s’kemi faj. Ju lutem të gjithë institucioneve shtetërore, që të marrin masa për këto lloj njerëzish që mashtrojnë.
Qytetarja e nëntë:
Jam Liliana Meçani, banoj në Durrës, lagjia nr.14. Kam vajzën, kam nusen, kam djalin, i kanë mashtruar. Shqetësimi ynë është se mund t’ju bllokojnë pronat. Nuk kemi dokument, sepse s’i kemi marrë nga frika, e kemi kthyer mbrapsht postierin. Ishte Fondi BESA, i kam thënë merri mbrapsht. Kishim frikë, thoshim do të na vrasin.
Qytetari i dhjetë:
Quhem Ronaldo Meçani, kanë ardhur letra por i ka refuzuar mami. Kam shkuar atje, tek zyrat që na kanë therritur ata të fondit (Fondi BESA), na thanë s’kemi çfarë bëjmë.
Qytetari i njëmbëdhjetë:
Quhem Enea Zeqiraj. S’kam qenë në dijeni që unë kam marrë kredi, na kanë thënë është thjesht ndihmë. Na kanë bllokuar tek të gjitha bankat. Do ishte mirë të hiqej. Unë u kam thënë, detyrimet që kam marrë 400 mijë lekë të vjetra unë i paguaj, por për diçka që s’kam marrë….të na hiqet statusi, të marrim kredi si të gjithë të tjerët.
Historia e skemës mashtruese:
Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë.
Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë.
Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa më e madhe e parave përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj.