Oligarkët Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari marrin disa herë para nga xhepat e qytetarëve shqiptarë për kryerjen e një pune në koncesionin e Rrugës së Kombit.
Rruga e parë është përmes traut të famshëm të vendosur në Kalimash, ku shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës paguajnë minimalisht 5 euro për çdo kalim. Sipas bilanceve të dorëzuara nga vetë koncesionare, të ardhurat vetëm nga biletat e kalimit shkojnë nga 15 deri në 20 milionë euro në vit.
Rruga e dytë është përmes kontratës së nënshkruar me Qeverinë shqiptare, ku koncesioni financohet pjesërisht nga Kastrati dhe Salillari dhe pjesërisht nga buxheti i shtetit.
Rruga e tretë është përmes tenderave të majmë që marrin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky i fundit doroviti Salillarin me 182 milionë lek, ose rreth 1.7 milionë euro në një tender ku morën pjesë tetë kompani të tjera dhe ku oferta më e ulët ishte 99 milionë lek, ose 33 për qind më e ulët se ajo e Salillarit.
Tenderi bën fjalë për punimet e parandalimit të gërryejes së rrugës nga lumi i Matit në kilometrin e nëntë të Rrugës së Kombit, një zonë me gjatësi deri në 200 metra. Kjo do të thotë se punimet janë pjesë e mirëmbajtjes së kësaj rruge, që u dha me koncesion pikërisht për ta mirëmbajtur Kastrati dhe Salillari me të ardhurat që sigurojnë nga trau i vendosur në këtë rrugë.
Vetë kontrata thotë se objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari duhet të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30 vjeçar.
Performanca financiare e koncesionarit ka tejkaluar planifikimet që prej vitit 2019, ndërsa detyrimet që ka Kastrati dhe Salillari nga kjo kontratë realizohen përgjysmë, si në rastin e vitit 2019-të. Për ta përforcuar këtë mjafton si shembull ura mbi Lumin e Drinit, ndërtimi i së cilës u mor përsipër nga Kastrati e Salillari dhe që në bazë të kontratës duhej të kishte përfunduar në vitin 2021. Sot jemi në 2023 dhe ura është larg përfundimit.