Lideri nacionalist maqedonas i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, pasi janë numëruar afër 90 për qind e votave të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku kjo parti është fituese e qartë, ka thënë se është koha që Bashkimi Demokratik për Integrim bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë.
Këto komente, Mickoski i ka bërë në një konferencë për media nga selia e VMRO-së, pasi kjo parti ka fituar 59 deputetë nga 120 sa ka gjithsej parlamenti i Maqedonisë, ndërsa pretendoi se BDI-ja ka bojkotuar procesin e zgjedhjeve presidenciale.
“Është mposhtur edhe bojkoti i BDI-së. Kjo fitore na jep kënaqësi të veçantë. Populli tregoi që nuk do të lejojë që individë të krijojnë kriza dhe përmes institucioneve të mbrojnë veten. BDI tregoi më së paku që është parti që kujdeset për Maqedoninë dhe u bë një strukturë e fuqishme kriminale, por goditën kokën dhe e bojkotuan vetveten. Është koha që bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë”, deklaroi Mickoski.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, VMRO del të jetë partia e parë me 42.75% e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.
E dyta pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, e cila pritet të ketë 19 mandate në Kuvend.
Pas saj është koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 mandate në Kuvend.
LSDM, deri më tani ka 14.67% dhe pritet të ketë 18 mandate në Kuvend.