Prokuroria e Posaçme ka zbarkuar ditën e djeshme në Bashkinë e Elbasanit, ku ka sekuestruar telefonat e dy punonjësve të prokurimeve, që pritet të hedhin dritë mbi abuzimet e përfolura me tenderat në këtë institucion. Punonjësit, të cilëve u janë sekuestruar telefonat, dyshohet se janë implikuar në veprimtari kriminale në paracaktimin e tenderave përmes korrupsionit.
Ndërhyrja e BKH është bërë ditën e djeshme, ku mësohet se fillimisht kanë shkuar në ambientet e bashkisë që drejtohet nga Gledian Llatja, duke sekuestruar një telefon tek një nga punonjësit që ka si funksion prokurimet publike në këtë bashki.
Sipas gazetarit Elton Qyno, punonjësit tjetër agjentët e BKH-së, i kanë dalë në rrugë dhe e kanë ndaluar, duke i komunikuar vendimin për sekuestrimin e aparatit të telefonit. Pas përpilimit të proces-verbalit të sekuestrimit të aparatit telefonik, punonjësi i bashkisë është lënë i lirë.
Punonjësi i bashkisë nuk ka shfaqur rezistencë, por këto veprime lënë për të kuptuar se në SPAK, tashmë është duke u hetuar për një skemë nepotizmi me përcaktimin e tenderave publikë në bashkinë Elbasan, të njëjtë me atë që ndodhi në bashkinë e Tiranës, ku u arrestuan disa drejtorë të këtij institucioni.
Nuk dihet me saktësi se për çfarë procedure tenderuese bëhet fjalë, por tashmë është fakt që ky hetim ka vënë në shënjestër zyrtarë të bashkisë Elbasan.