Mediat belge kanë shkruar sërish për atentatin ndaj Agustin Kazës, i cili u qëllua me disa plumba për vrasjen e dy personave që ka bërë i vëllai i tij shumë kohë më parë në Shqipëri. Atentati që dështoi ndodhi poshtë një kafeneje në rrugën “Joseph Brand” në Schaerbeek të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:30.
“RTL” ka kontaktuar me një gazetar i specializuar në çështjet kriminale në Shqipëri, të cilit nuk ia ka bërë publik emrin, i cili ka bërë me dije se atentati është një larje hesapesh mes dy familjeve.
“Sipas informacioneve në të cilat kemi akses këtu në Shqipëri, Agustin Kaza është i lidhur me Martin Kazën, ata janë vëllezër. Ne e kemi këtë informacion nga burimet tona brenda policisë shqiptare, por autoritetet ende nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare,”-thotë gazetari shqiptar.
Martin Kaza u dënua për vrasjen e dy vëllezërve, Dod dhe Augustin Gjini, më 3 korrik 1997 në Mirditë, një qytet në veri të Shqipërisë.
“Në atë kohë u tha se vrasja ishte kryer për hakmarrje, në vitin 1994, në qytetin e Rrëshenit, u vra Ndue Kaza, vëllai i Martin dhe Agustin Kazës,”- shpjegon ai. Ndue Kaza dyshohet se është vrarë më 7 janar 1994 nga Dod Gjini. Për t’u hakmarrë për vëllain e tij, Martin Kaza vrau Dod dhe Augustin Gjinin përpara se të ikte nga Shqipëria. Nga vendi i tij, shkoi në Angli ku kërkoi azil si refugjat lufte nga Kosova, duke përdorur nëj identitet të rremë, duke e quajtur veten Naim Karagjia.
Ai u arrestua në qershor 2016, në Londër dhe u ekstradua në dhjetor të vitit 2017 për të vuajtur dënimin me 22 vite burg për vrasjen e dyfishtë. Atentati në Belgjikë mendohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, si pjesë e një hakmarrjeje. Por ky informacion, nuk është konfirmuar nga prokuroria publike e Brukselit, e cila vazhdon të hetojë. Por për gazetarin, Agustini ishte “viktimë’ e Kanunit.
“Këtu bëhen shumë vrasje për arsye hakmarrjeje, sepse në veri ka ende njerëz që ndjekin ligjin e Kanunit: Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në Shqipëri kemi ligjet, Kushtetutën dhe Kodin Penal. Ligjet e Kanunit janë shumë të vjetra, por në veri të Shqipërisë mund të gjesh disa familje – edhe nëse janë të pakta – që ende i përdorin. Por kini parasysh se këto nuk janë ligje reale, janë si diçka nga e kaluara që e përdoren ende nga disa familje,”- shpjegon ai./