Qeveria shpenzon mesatarisht 50 milionë euro në vit për sistemin e burgjeve. Nëse merret një mesatare prej 5 mijë të burgosurisht, të dënuar apo në proces hetimi e gjykimi, rezulton se për një person shpenzohen rreth 10 mijë euro në vit, në një kohë që paga mesatare në vend për vitin 2023 ishte rreth 8 mijë e 400 euro.
Shifrat sugjerojnë se Shqipëria ka të burgosurit më të shtrenjtë mes vendeve të Këshillit të Europës. Pse? Të dhënat zyrtare për vitin 2022 tregojnë se mesatarja e kohës së dënimit në Shqipëri është rreth 14 vite. Nëse kjo shifër shumëzohet me 10 mijë euro, sa është kostoja aktuale, atëherë Shqipërisë një i dënuar i kushton plot 140 mijë euro në total.
E thjeshtuar edhe më shumë, në fund të shlyerjes së dënimit të të dënuarve aktualë në burgjet shqiptare, Qeveria do të ketë paguar rreth 700 milionë euro. Kostoja është më shumë se dyfish nga mesatarja e vendeve të Këshillit të Europës, ku një i burgosur kushton mesatarisht nga 50 mijë deri në 100 mijë euro përgjatë të gjithë kohës së vuajtjes së dënimit.
Shqipëria renditet më keq edhe se vendet e rajonit në këtë aspekt. Në Maqedoninë e Veriut, një i burgosur shpenzon rreth 100 mijë euro deri në fund të kryerjes së dënimit, në Mal të Zi, rreth 85 mijë euro dhe në Serbi rreth 70 mijë euro.
Ajo që ul kostot e burgjeve në vendet e rajonit, por sidomos në vendet e zhvilluara të Këshillit të Europës është kohëzgjatja mesatare e dënimit dhe aplikimi masiv i dënimeve alternative. Në Serbi, si shembull kohëzgjatja mesatare e dënimit është pak më shumë se gjashtë vite, ndërsa mesatarja e dënimit e vendeve të Këshillit të Europës është rreth 11 vite.
Faktori tjetër që rrit ndjeshëm kostot e taksapaguesve shqiptarë ndaj të dënuarve është aplikimi masiv i masës së sigurisë arrest me burg, sidomos pas reformës në drejtësi dhe ngritjes së SPAK-ut. Për këtë ka pasur kritika edhe nga organizatat ndërkombëtare. E fundit ishte OKB, që pas një misioni vëzhgues të ekspertëve të komitetit kundër torturës, trajtimit çnjerëzor dhe poshtërimit ngriti shqetësim për numrin e lartë të të paraburgosurve dhe aksesin e cunguar të tyre në shërbimet bazike, si trajtimi mjekësor.
Por, kostot rriten edhe nga keqmenaxhimi, apo korrupsioni me tenderat në sistemin e penitenciar. Si shembull, ish-drejtori dhe e gjithë administrate e një burgu në vend u hetua disa vite më parë për korrupsion me tenderin e ushqimeve.
Gjatë hetimeve, prokurorët zbuluan në atë kohë se gjatë vlerësimit të ofertave, kostoja e një buke ishte rritur me gati 50 për qind nga vlera e saj reale në treg. Buka masive në atë kohë kushtonte mesatarisht 70 lekë, por në tenderin në fjalë është vlerësuar me 130 lekë.
Kjo është njëra prej arsyeve se pse ndoshta ministri Ulsi Manja vlerësoi se me lirimin e 1100 të dënuarve përmes amnistisë penale, buxhetit të shtetit do t’i kursehen 30 milionë euro. Ministri tha se një i burgosur kushton rreth 35 euro në ditë, ose gati 13 mijë euro në vit. Nëse këtë shifër e shumëzojmë me 1100, aq sa është numri i atyre që përfitojnë faljen, buxheti kursen 14 mijë e 300 euro dhe jo 30 milionë euro, sa deklaroi Manja.