Përgjatë viteve, monedha europiane këmbehej me nivele të ulëta përballë lekut shqiptar, në dy momente; gjatë sezonit turistik veror dhe në fundvit kur vendi njihte një fluks të shtuar emigrantësh që vinin për të festuar në Shqipëri.
Vitin e kaluar nivelin më të ulët monedha europiane e arriti në muajin korrik duke u këmbyer me 100.4 lekë në tregun valutor vendas, duke vendosur një rekord që nuk ishte njohur më parë.
Në muajt e mëvonshëm, niveli i këmbimit në euros me lekun nuk ra poshtë 101 lekëve.
Por këtë vit, situata duket se është ndryshe.
Muaji prill rezulton të jetë një muaj ku zhvlerësimi i monedhës europiane përballë lekut arriti nivelet e korrikut të vitit të kaluar, duke rënë për herë të parë në nivelet e 100 lekëve.
Prej më shumë se 1 viti, në tregun valutor vendas ka një ‘realitet të ri’ të këmbimit të euros dhe një mbiçmim të lekut shqiptar përballë monedhave të tjera të huaja.
Autoritetet shqiptare argumentojnë se një impakt të madh luan fluksi i turizmit. Të dhënat më të fundit të INSTAT dëshmuan se vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, të huajt që vizituan vendin tonë ishin 1.5 milionë. Pra, një rritje me 43 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo paralajmëron se Shqipëria do të ketë këtë vit një sezon të mbingarkuar me turistë; një ‘barrë’ që mund të vijojë t’i rëndojë monedhës europiane euro, duke qenë se pjesa më e madhe e turistëve nga europianë.