Në Belgjikë është mbajtur seanca e rradhës për një nga proceset e “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes “Black Eagle”. Sipas “La Libre”, Prokurori ka kërkuar para Gjykatës Penale të Brukselit, dënimet me 20 vjet burg për Alfredo H. dhe Indrit K., lidhur me trafikun e gjerë të drogës.
Prokurori pohoi se sekuestrimet e kokainës të kryera gjatë hetimit, të hapur në vitin 2020, përfaqësonin një shumë prej 13.42 milionë euro. Ajo kishte në shënjestër Alfredo H. si një nga burrat që drejtonte trafikun. Ai ishte në kontakt me grupet mafioze italiane të krijuara në Limburg, por edhe me drejtuesit e një organizate tjetër, edhe më të rëndësishme, me qendër në Majorka. “Ata zbatuan metoda reale moderne të biznesit. Ata bënë një ‘joint venture’ duke ndarë burimet, fuqinë punëtore, pajisjet…”, shpjegoi ajo.
Një tjetër burrë, Indrit K., është vënë në shënjestër të prokurorit federal si drejtues i këtij rrjeti të trafikut të kokainës. Ai u arrestua në janar të vitit 2020 në Spanjë me 440 kilogramë të kësaj droge.
Sipas prokurorit, të dy liderët u kanë bërë thirrje personave të tjerë që të veprojnë si “vëzhgues”. Roli i tyre ishte të monitoronin mbërritjen e anijeve në portet e Antëerpen dhe Gentit. Nuk munguan as “nxjerrësit”, të cilët udhëtonin me kanoe të fryra dhe të pajisur me pajisje zhytjeje deri te varkat ku ndodheshin kontejnerët e synuar. Me fjalë të tjera ato që përmbanin mallrat të cilat duhej të rikuperoheshin përpara kontrollit doganor.
Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H. apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër ‘lojtarët’ më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri dhe të tjera detaje pritet të dalin në seancat në vijim.