Ilir Meta sulmoi ashpër SPAK-un dhe Altin Dumanin në konferencën e djeshme për shtyp.
Por një detaj nga fjala e e tij duket se u la në hije. Ilir Meta përmendi termin “mentor” të Dumanit për juristin dhe ish-kryeprokurorin Arben Rakipi.
U shpreh Meta: “Gjithë këtyre kushërinjve të Nuredinit, të bëhen gati në qoftë se e dinë kaq të thjeshtë punën e Partisë së Lirisë dhe të Ilir Metës, të pyesin edhe mentorët e tyre sesi e kanë parë veten shumë shpejt nga pozitat e të fortit dhe të arrogantit në atë të të squllurit dhe të përbuzurit, por edhe të shtrydhurit nga ana politike. Ilir Meta ka integritet tjetër. E ka shkarkuar Arben Rakipin mbasi ka dhënë dorëheqjen si kryeministër për shkak të përfshirjes së tij të hapur në politikë. E duhet ta kisha shkarkuar Arben Rakipin e duhet t’i kisha shkarkuar të gjithë këta vagabonda, të cilët duan të bëjnë parti politike pa u votuar. Kur të ketë dëshirë kushëriri i Nuredinit, t’i marrë të gjithë këta pentitot, laraskat.”
Cili është shkaku që ish-kryeministri dhe ish-presidenti i vendit identifikon si thelbin e problemit të tij Arben Rakipin.
Është thuajse një sekret i hapur që Altin Dumani dhe Arben Rakipi kanë një njohje dhe miqësi të vjetër.
Madje Dumani, kur u intervistua për rekrutimin në SPAK, e pranoi hapur para anëtarëve të KLP-së se vetëm me mbështetjen e ish-kryeprokurorit Rakipi, ai mundi të disiplinonte Prokurorinë e Tropojës në vitin 2000.
Shprehet Dumani: “Pas një pune më pak se një vit në Prokurorinë e Rrethit Sarandë, ku m’u desh që të hetoj çështje të rëndësishme për kohën, pasi Saranda atë vit kishte problematikë, sidomos vrasjet, ku kam realizuar disa hetime të suksesshme, jam emëruar si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë në janar të vitit 2000, në një kohë shumë të vështirë. M’u desh që ta ringre atë prokurori nga fillimi, pasi ishte pothuajse inekzistente. Dhe falë mbështetjes së Prokurorit të Përgjithshëm të kohës u bë e mundur që ta ringremë atë prokurori dhe ta rivëmë në punë.”
Ilir Meta e di këtë fabul thuajse publike, por obsesioni i tij dhe ndoshta frika e tij ndaj Arben Rakipit lidhet me dy elementë që nuk është se ndikojnë drejtpërdrejt Dumanin.
Elementi i parë ka të bëjë me stekën profesionale dhe sidomos karakterin jo të zakontë të Arben Rakipit.
Arben Rakipi profesionalisht është një shkencëtar i jurisprudencës. Por ai është i blinduar edhe me një karakter të paparashikueshëm.
Në dallim nga pjesa dërrmuese e e juristëve që Meta i ka parë si shërbëtorë dhe kamarierë, Arben Rakipi nuk është përulur kurrë, para asnjë politikani.
Edhe në ditët e tij më të këqija pas shkarkimit si Kryeprokuror, ai përballoi, ashtu i vetëm nënçmimin dhe ndonjëherë edhe diskriminimin publik nga “krokodilët” që dikur i kishte hetuar.
Rakipi për vite me radhë u mbyll në guvën e tij. Ai nuk i shtriu dorën askujt, tregues elementar po edhe shumë i qartë se ky njeri nuk bën mbrapa.
Elementi i dytë lidhet me kredon dhe reputacionin e Arben Rakipit te strukturat, kryesisht amerikane që mbikëqyrin reformën në drejtësi.
Ekspertët e OPDAT-it apo zyrës ekzekutive në Ambasadën e SHBA-së e etiketojnë Rakipin me nofkën “tough guy”.
Steka e arsyetimit dhe profesionale e Rakipit ka qenë përcaktuese në shumë prej nismave që institucionet ndërkombëtare kanë ndërmarrë në fushën e ligjeve.
Aben Rakipi patjetër që duhet të ketë një ndikim edhe te Altin Dumani, por ky nuk është një ndikim konjuktural, por një ndikim i autoritetit të tij moral dhe i stekës së tij profesionale.
Kjo e bën shumë herë më “të rrezikshëm” sesa po të kishte një ndikim alla-shqiptarçe tarafi dhe interesash të ngushta.
Pikërisht duke njohur këto elementë dhe këto karakteristika të pazakonta të karakterit dhe takatit të Arbën Rakipit, Ilir Meta mesa duket ka arsye të ndjehet i shqetësuar dhe kjo është ndoshta arsyeja që ai e përmend si trurin e operacionit hetimor ndaj tij, pasi Ilir Meta informacionin e ka, ai e di se kjo kategori nuk të bën kollaj për burrë. /Hashtag.al