Gazetari i medias britanike, Exxpres ka udhëtuar drejt Shqipërisë, për reportazhin investigues, se si të famshmit e rrjeteve sociale në Shqipëri, ndikojnë në rritjen e punonjësve të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Zak Garner-Purkis ka zhvilluar një intervistë me Kozak Braçin, i cili sipas medias britanike, ka qenë një ndër të parët që ka promovuar shtëpitë e barit në lidhjet live në Instagram dhe TikTok. Media sjell deklaratat që ka bërë Kozak, në videot e tij ku thotë “Të rrish në shtëpi bari, unë kisha ndejt ropt”.
Gjatë intervistës, Kozak përpiqet që të ruajë një profil tjetër, duke përmendur dhe intervistat që ka bërë edhe me personazhe të njohur të sportit, siç është rasti i Granit Xhakës.
“Rekordin e kemi shumë të madh, më e pakta 3 mijë njerëz live, më e madhja 30 ose 50 mijë. Unë po të jem në Angli me këtë famë, do isha më i famshmi në botë”, shprehet Kozak.
Gazetari: Në disa video që kemi gjetur, ti iu flet njerëzve për shtëpitë e drogës
Kozak: Jo mo, ku e dija unë ku ishin ata. Nuk është gjë e mirë, edhe në fillimet e mia, kam vite, më çonin live nga Anglia dhe i kam futur. Unë u habitsha. Këta dhe nuk e dinë a kanë qenë apo jo në Angli. Ku di gjë unë ku kanë qenë.
Gazetari: Si ndihesh që të rinjtë marrin ide të gabuara?
Kozak: Po se kam hedhur unë vëllai, në Shqipëri nuk ekzistojnë shtëpitë e barit. Në fillim ka qenë ajo. Nuk kam pasur kurrë nevojë për të punuar në shtëpi bari, po të isha në hall edhe mund të punojsha.
Pasi mbaron intervistën, Kozaku kërkon që të prihen emrat e personave me të cilët ai ka qenë në live, të cilët kanë reklamuar shtëpitë e barit.
‘Ato të shtëpive të barit, pritini, se më therret policia, atë ditë 100 veta kam pasur live. Jo se do të më bëjnë gjë mua, më prishni punë, më hapni probleme. Unë e bëra intervistën për respekt’,dëgjohet të thojë Kozak, pasi mendon se nuk po regjistrohej më.
“Dhe ka të drejtë Kozaku që ka frikë, pasi ai u mor peng dy vite më parë”, kujton gazetari britanik, në reportazhin e tij, i cili vijon me rastet e dhunës që kanë pësuar të rinjtë shqiptarë, që kanë punuar si roje në shtëpitë e barit në Britani.
Më tej në reportazh trajtohet roli i Aleks Vishës, sesi ai në videot live reklamon shtëpitë e barit.
‘Po ku më ha k*** mua, më dalin 2500 lule çdo dy muaj’, thotë Visha në video, teksa komunikon me të vëllanë e tij Dorin.