Prej kohësh çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, nuk janë duke jetuar në ditët e tyre më të mira, për shkak të disa dosjeve që janë hapur në SPAK, në lidhje me veprimtaritë e tyre, gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet, por edhe dyshime që lidhen me pasurinë. Por kjo betejë në SPAK, duket se ka ndikuar në jetën e çiftit, jo vetëm në parti por edhe në familje, ndërsa gjithnjë e më shumë po flitet për një konflikt mes të dyve.
Pika e vlimit ka qenë dje, kur Monika Kryemadhi dha një mesazh të koduar nga foltorja e Kuvendit, ndërsa nëna e saj merrej prej 5 orësh në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Duke shprehur keqardhjen për përdorimin që po i bëhej Olta Xhaçkës nga mazhoranca, Kryemadhi dha dhe një mesazh për veten. Ajo tha se gratë përdoren shpesh si mish për top për burrat, duke nënkuptuar në njëfarë mënyrë se viktima e radhës e kësaj shprehje mund të jetë edhe vetë ajo.
“Më vjen keq si grua që ne gratë përdoremi si mish për top për burrat. Por karma is a bitch Olta, dhe ç’të mbjellim do të korrim”, u shpreh Kryemadhi, që qitjen e ka shumë më të largët se salla e Kuvendit. Ndoshta zëri ka shkuar në kodrat ku vrapon apo në palestrat ku ushtrohet Ilir Meta, që në ditët e fundit shfaqet më sport se kurrë, ndërsa shumë vënë në pikëpyetje edhe stabilitetin e tij.
Përçarja mes të dyve ka nisur prej disa kohësh, ndërsa pak ditë më parë u raportua se mes Metës dhe Kryemadhit kishte pasur një konflikt në zyrat e Partisë së Lirisë. Ish-presidenti i kishte ulëritur gruas së tij se me veshjet e shtrenjta, ‘kishte ndjellë SPAK në zyrat dhe shtëpinë e tyre’.
Por kjo nuk është përplasja e vetme! Edhe gjatë ditëlindjes së Kryemadhi, Meta u mjaftua me disa fjalë, shumë më pak sesa ato që shkruante për Nënë Selvinë, e cila në të njëjtën ditë festonte 100 vjetorin e saj.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN se hetimet e Prokurorisë së Posaçme, për pasurinë e ish-çiftit presidencial janë duke përparuar ndjeshëm, dhe për këtë gjatë ditës së djeshme është kërkuar edhe dëshmia e nënës së Kryemadhit. Kjo e fundit pretendon se i ka kaluar shuma të mëdha parash vajzës së saj, nga shitja e 13 apartamenteve, në një pallat të ndërtuar në zonën e Astirit, ku prindërit e Kryemadhit kanë qenë pronarët e tokës.
Edhe nëna e Kryemadhit nuk pret ditë të mira për vajzën e saj, pasi në mesazhin para SPAK, përveçse shprehu krenarinë për deputeten e PL-së, tha se do të qëndonte pranë saj, çfarëdo që të ndodhte. Duke imagjinuar edhe më të keqen… ‘Jam krenare për vajzën që kam, edhe sikur pale se si…”, u shpreh nëna e Kryemadhit pas daljes nga prokuroria.
Por nëse mamaja ka zgjedhur dhe është shprehur se do të qëndrojë në krahë të Kryemadhit, në çfarëdo situate që ajo të ndodhet, Ilir Meta nuk premton shumë siguri, të paktën me sjelljet dhe veprimet e fundit.