Nëse është vjedhur një mjet “Range Rover”, mund ta gjeni në Fushë-Krujë. Atje është lokalizuar edhe makina e Herald Dervishit, e cila u vodh mëngjesin e djeshëm në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit. Vend ku ishte parkuar si gjithmonë nga pronari i saj. Por kur shkoi dje, nuk e gjeti në vendin ku e kishte lënë. Menjëherë shkoi në Polici për të denoncuar vjedhjen.
Pas hetimeve, mjeti është gjetur në zonën e Fushë-Krujës, në Thumanë. Kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë kanë fiksuar dhe autorin e vjedhjes së makinës, i cili vjen në këmbë, hap derën e “Range”, futet brenda qetësisht dhe largohet me mjetin e vjedhur. Lidhur me ngjarjen e ndodhur, pronari i mjetit tregoi se kishte bërë të njëjtat lëvizje si zakonisht, por mjetin ia kishin marrë duke i thyer xhamin.
MJETI RANGE ROVER
“E mora vesh kur u çova në mëngjes për të shkuar në punë dhe pashë që nuk ishte makina. Ishte thyer xhami i shoferit. Me anë të kamerave u pa se është marrë në orën 03:30 nga një person i veshur me xhaketë gri dhe kapele të zezë. Pas kësaj ore nuk di më asnjë informacion për makinën,”- tha pronari i automjetit, Herald Dervishi.
Aktualisht, Policia po vijon të punojë për gjetjen e autorit të vjedhjes duke përdorur kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë, por ende nuk ka mundur që të lokalizojë hajdutin. Mendohet se edhe ky mjet do të përdorej për ngjarje kriminale, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën me mjete të ngjashme. Jo më larg se para dy muajsh, Policia e Tiranës arrestoi një person i cili grabiti po ashtu një automjet tip “Range Rover”, i cili ishte parkuar pranë stadiumit “Air Albania”. Adrian Hamalli, duke u hequr si lypës, ishte afruar pranë mjetit dhe me ta grabitur, ishte nisur edhe ai në drejtim të Fushë-Krujës, zonë që mesa duket është ktheyr në një bazë të mjeteve që grabiten.
Mendohet se pasi vidhen, këto makina mbyllen në garazhe, apo në vende ku nuk kontrollohen nga Policia dhe më pas i shiten grupeve kriminale. Me të kryer “punë”, këto mjete digjen, duke mos lënë gjurmë për autorët pasi pronar i mjetit është një person që nuk ka asnjë lildhje me ngjarjen. Po ashtu, këtyre mjeteve u përdoren edhe targat, për të humbur gjurmët nga Policia. Kjo skemë ka vite që përdoret, por deri më tani, nuk ka një emër personi se kush i blen këto mjete, për sa para dhe për kë personazh të botës së krimit i shet.