Do të mbahet këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, seanca për ish-zyrtarin e Policisë Erzen Breçani, i cili ka kërkuar një masë më të butë sigurie, me pretendimin se qëndrimi në qeli i shkakton probkeme shëndetësore.
Breçani është arrestuar rreth 5 muaj më parë, nën akuzën e pastrimit të parave, ndërkohë që në seancën e sotme në GJKKO, do të merren në pyetje ekspertët që do të vendosin nëse ish-zyrtari i policisë vuan nga klaustrofobia.
Avokatët e ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës kanë deklaruar se i rrezikohej jeta në qeli, pasi fobia nga qëndrimi në ambientet e mbyllura i ka shkaktuar atij probleme me zemrën, dhe për këtë është dashur edhe transferimi në spitalin e burgut për disa ditë. Breçani u arrestua më 20 nëntor 2023 dhe akuzohet për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit.
Ish-drejtuesi i lartë i policisë u ndalua pas zbardhjes se disa bisedave ne aplikacionin SKY ECC, ku në pranga përfunduan disa persona, mes tyre edhe shefi i hetimit të krimeve Dedan Gjoni. Ndërkohë djali i tij Eralbi Breçani dhe Ervin Mata, mbeten ende në kërkim, ndërsa akuzohen për trafik ndërkombëtar kokaine.