PD akuzon drejtorët, kush është Mariel Murati i FSDKSH Sarande që i vunë tritol dy herë te hoteli
Deputetja Ina Zhupa ka bërë një denoncim në rrjetin e saj social Facebook. Ina Zhupa ka denoncuar me emra zyrtarë të Bashkisë së Sarandës, për të cilët thotë se po intimidojnë qytetarët. Sipas saj, nënkryetarja e Bashkisë Sarandë Lindita Qëndro, Drejtor Mariel Murati, Drejtor Arjan Kalcuni, Drejtor Alket Qëndro po i ushtrojnë presion qytetarëve.
“Drejtues të institucioneve publike të Sarandës! Nënkryetare e Bashkisë Sarandë Lindita Qëndro, Drejtor Mariel Murati, Drejtor Arjan Kalcuni, Drejtor Alket Qëndro. Hiqni dorë urgjentisht nga intimidimi i qytetarëve jashtë qendrave të votimi. Lejini të lirë banorët e Sarandës e Ksamilit të votojnë. Bashkëqytetarët tanë janë të zgjuar mjaftueshëm e të vetëdijshëm se cila është alternativa që i përfaqëson ata. Boll jeni pasuruar në kurriz të tyre, ata nuk janë si ju, pronarë hotelesh e ndërtues pallatesh, zaptues tokash e pronash publike.
Ju njohin shumë mirë, e dinë se çfarë përfaqësoni e çfarë kërkoni të merrni nga Bashkia. Ata janë qytetarë të lirë dhe si të tillë e duan të çliruar atë institucion nga kthetrat e mafies së pronave që kërkon ta zaptojë. Ju garantojmë se ju njohim emër për emër ju intimidues, ua dimë bëmat dhe mendësitë. Boll më! Blendi Klosi me bandat e tij do të largohet nesër, ndërsa ju do të jetoni sërish me bashkëqytetarët tuaj. Mos u bëni bashkëfajtor në krim, hiqni dorë sa nuk është vonë”, shkruan Zhupa.
Alket Qendro është drejtor në portin e Sarandës, ndërsa Mariel Murati, drejtor i FSDKSH Sarandë, një emër shumë i njohur gjatë muajve të fundit për shkak se hoteli i tij, një pronë e marrë përmes praktikave të dyshimta, është sulmuar dy herë me tritol.
Mediat gjatë vitit të shkuar raportuan se Muratit i vunë dy herë tritol në hotelin e tij në Sarandë, ndërsa më parë ishte paditur edhe nga ish-ministrja e Drejtësisë, Gjonaj për bëmat e tij te ALUIZNI.
Dy herë tritol te hotel Yacht Premium në Sarande , e shkuara e dyshimtë e pronarit Mariel Murati
Mariel Murati, pronari i hotelit “Yacht Premium” të sulmuar dy herë me eksploziv në Sarandë, rezulton i shkarkuar dhe kallëzuar penalisht nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Murati ishte emëruar në krye të ALUIZNI-it Sarandë në dhjetor 2016, por në korrik 2018, në një konferencë për shtyp, Ministrja e Drejtësisë deklaroi depozitimin e një kallëzimi penal ndaj Mariel Muratit dhe tre përgjegjësve të kësaj drejtorie, të sektorit të legalizimit dhe planifikimit urban dhe të sektorit të kalimit të pronësisë.
Ata dyshoheshin se në bashkëpunim kishin shpërdoruar detyrën duke legalizuar sipërfaqe në letra më të mëdha se ato në realitet si dhe për mos respektim të afateve dhe procedurave për raste të legalizimeve.
“BW” mëson se kjo dosje i kaloi Prokurorisë së Sarandës e cila çuditërisht edhe pse kallëzuesi ishte Ministrja e Drejtësisë, e pushoi atë. Burime të “BW” bëjnë me dije se në vitin 2019, ndaj Muratit kanë ardhur përmes Policisë së Shtetit edhe flete-thirrje nga Prokuroria e Krimeve të Renda pas një hetimi të prokurores Doloreza Musabelli, por edhe kjo çështje mësohet të jetë pushuar.
Dy herë tritol te hotel Yacht Premium ne Sarande , lidhjet e pronarit Mariel Murati
Sasia e Eksplozivit ishte vendosur në garazhin e hotelit, ku nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale.
Por një vit më parë, në 9 shkurt të 2021-t në të njëjtin hotel ka patur sërish shpërthim tritoli, i cili ishte i vendosur në tarracën e së njëjtës godinë.
Eksplozivi shpërtheu sapo roja i godinës ndezi dritën, pasi ishte lidhur me energjinë elektrike.
Ndërkohë që burime për Abc bëjnë me dije se Mariel Murati, pronari i hotelit, ka deklaruar në polici mbrëmjen e së mërkurës, në 29 qershor 2022, se nuk e di kush mund të jetë autori, pasi ai nuk ka konflikt me asnjë.
“Nuk kam konflikt me askënd”, deklaroi Murati para uniformave blu, për ngjarjen e mbrëmjes së të mërkurës.
Më herët Murati ka mbajtur edhe postin e Drejtorit të Kadastrës në Sarandë.