Nga Lutfi Dervishi
Që kur rrjetet sociale janë shndërruar në një ndër pushtetet më të forta, politikanët thuajse i sheh kudo me kineastët e tyre të kompletuar me teknologjinë e fundit filmike.
Aq sa lëvizjet e tyre janë bërë të parashikueshme, njëjtë si të thuash se sot është e premte apo nesër e shtunë.
Tashmë jemi mësuar dhe neveria i ka lënë vendin mirëkuptimit për shkak se shumë prej tyre aq dinë, aq bëjnë duke infektuar njëri-tjetrin me strategji të dala boje.
Sot ata mund t’i shohësh si protagonistë edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe kjo është një çudi nga ato që nuk shpjegohen lehtë.
Në muajin kur shfaqet thelbi i vërtetë i fesë, shfaqet politika jo si art i së mundshmes, por si art i hipokrizisë!
Pjata speciale e iftarit: Shfaqja publike e agjërimit.
Shumëkush i habitur mund të pyesë: Kur udhëheqësit politikë i kuptuan kaq mirë dhe thellë traditat fetare në përgjithësi dhe ato të islamit në veçanti?
Paradoksi nuk mund të jetë më i plotë sado të rrekesh.
Politikanë, që gjithë kohën nuk kujtohen për porositë e librave të shenjtë (për ligj jo e jo) edhe nëse do t’ua shërbeje në një pjatë argjendi, befas bëhen shembuj të virtytit islam, duke cituar pjesë të Kuranit me të njëjtën lehtësi me të cilën bëjnë premtimet elektorale.
Kurani, nuk heziton të nxjerrë në pah hipokritët dhe ata që bëjnë show. Sura Al-Ma’un (107:7) flet për ata “të cilët vetëm shtiren”.
Ajetet (shpalljet) e Kuranit veçanërisht ato që qortojnë të fuqishmit, njerëzit në pushtet, befas marrin një kuptim të ri.
“O ju që keni besuar, pse thoni atë që nuk e bëni?” (Kurani 61:2).
E çfarë mund ti thuash një politikani që për tavolinën e iftarit shpenzon po aq sa edhe për dreka-darkat e fushatës? (Ai nuk e di se është muaji që ushqehet shpirti dhe nuk shqyhet stomaku)
Ndoshta i duhet kujtuar porosia: “Dhe kur të qeverisni njerëzit të qeverisni me drejtësi (4:59)
apo më troç: “mos gëlltitni pasuritë e njëri-tjetrit” (2:189)
Dhe më troç akoma meqë jemi në kohën e SPAK: “Mos ndiqni dëshirat e t’i shmangeni drejtësisë” (4:136)
Muaji i shenjtë është koha e vetëpërmbajtjes, është koha (gjithmonë) për të “garuar në mirësi”, por jo për të garuar kush shtron më me luks darkat e iftarit.
I duhet kujtuar zotërinjve se është muaji që duhet ushqyer më shumë shpirti se trupi.
Dhe ushqimi shpirtëror nuk mund të shërbehet në një pjatë të “zbukuruar” me parfum hipokrizie.
A është kjo një kujtesë për ata që postojnë bamirësitë e tyre në Facebook dhe Instagram, sepse si ndryshe do të marrë vesh elektorati për mëshirën dhe bujarinë e atyre që nuk shpenzojnë asnjë lek nga shqiptarët, por vetëm nga buxheti?
Është një thirrje e përsëritur në librin e shenjtë “mos e teproni” 7:32 dhe “garoni në mirësi.
Dhe sa i përket politikanëve tanë të kudogjindur, u duhet thënë Bravo! Aftësia për të kthyer një muaj të përuljes dhe reflektimit shpirtëro në një gala kulinarie është “mrekulli”.
Dhe do të ishte mrekulli pa thonjëza nëse ky muaj i ndriçon ata drejt thelbit të detyrës së tyre që është shërbimi dhe sakrifica.
Deri sa të vijë kjo ditë le të hamë sot, dhe të kujtohemi që nesër, ne do të votojmë! Dhe meqë jemi te citimet e librit shenjtë, ja vlen të kujtojmë se “sigurisht, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata nuk e ndryshojnë gjendjen e tyre” 13:35