Shteti shqiptar shpenzon plot 80 milionë euro për të mbajtur në burg vetëm hallexhinjtë.
“Fiks Fare” siguroi dokumente nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe bisedoi me Avokaten e Popullit dhe Drejtoreshën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për kostot dhe kushtet e mbajtjes në qeli të personave që kryejnë vepra penale.
Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një letër, e firmosur nga 145 të burgosur në Peqin, të cilët kërkojnë ndihmë që t’u dëgjohet zëri. Ata kërkojnë të amnistohen, teksa pohojnë se mos të lirohen vetëm VIP-a. Shumica e personave që që kanë firmosur, janë të paraburgosur dhe jo të dënuar!
“Kemi problematika të shumta në dhënien e vendimeve të gjykatës. Ne jemi të dënuar dhe në proces gjykimi. Po hetohemi dhe gjykohemi me një Kod Penal që nuk ka të përcaktuar masat e dënimit. Ligji parashikon të njëjta dënime si për një konsumator të një cigare hashashi dhe të njëjtin dënim për atë që prodhon dhe shet disa tonë drogë. Rreth 65 % nga ne jemi në paraburgim për nenin 283, shitja narkotikëve. Duke pasur besim në humanizmin dhe vullnetin tuaj të mirë, ju kërkojmë që amnistia të jetë minimalisht 2 vjet e përgjithshme” pohojnë të burgosurit.
Kërkesa e tyre vjen në një kohë që ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dërguar në Kuvend një draft për amnistinë penale, teka përfitojnë 4 kategori. Nga kalkulimet e deritanishme, sipas Manjës, “përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove”. Ministri tha disa javë më parë se janë “2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE”. “Amnistia në këtë moment përveç parimeve të tjera, do na shërbejë edhe ne për të na krijuar një mundësi të sistemit siç duhet” pohoi ai.
Më shumë të paraburgosur sesa të dënuar
Por, sa shpenzohet për të mbajtur një të dënuar/paraburgosur në qeli?! Aktualisht, në burgjet shqiptare ka më shumë të paraburgosur se të dënuar! Nga rreth 5800 të burgosur, 2292 janë të dënuar dhe 3087 janë të paraburgosur. Gjithashtu janë edhe 460 persona me masë mjekësorë. Ndërkohë, kostoja ditore e një të burgosuri është 3.759 lekë! “Gjithashtu ka edhe 460 persona që janë persona me masë mjekësore. Janë ata që janë të paaftë që kanë probleme të shëndetit mendor. Është një shifër e lartë, nga vitet e larta dhe ka ardhur në rritje. Sot jemi me një mbipopullim prej 150 persona në total” tha Erinda Ballanca, Avokate e Popullit. Ndërkohë, në sistemin e burgjeve punojnë plot 4594 persona, të cilët mbajnë të izoluar 5800 të privuar nga heqja e lirisë.
Fiks Fare siguroi të dhëna zyrtare për buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke llogaritur pagat e punonjësve, mirëmbajtjen e institucioneve të vuajtjes së dënimit, naftën, riparimet, tenderët e ushqimeve, kamerave etj. Në total, në një vit, burgjet shpenzojnë gjithsej 8 miliardë lekë, ose rreth 80 milionë euro. “Vetëm për shpenzimet e personelit, paga dhe sigurime, harxhohen 5,5 miliardë lekë, ose 69 % e vlerës totale të buxhetit” thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, drejtuar Fiks Fare.
Avokatja e Popullit thotë se shifra është akoma më e lartë në buxhetin e shtetit, pasi ka qindra të burgosur që marrin pafajësi. “Nëse të tëra paratë që ne shpenzojmë për këta të paraburgosur, që është një shifër jo e ulët, do të çoheshin në projekte sociale, ndoshta s’do të kishim një numër kaq të madh të personave që janë të kriminalizuar. Shifra që ne harxhojmë për një person të dënuar për të mbajtur në burg është gati 15 fishi i asaj që i japim një familjeje të tërë në nevojë” pohon ajo.
Gati çdo muaj, Drejtoria e Burgjeve shpall tendera me vlerë disa miliona euro për blerje ushqimesh, veshjesh apo edhe për sistemet e sigurisë. Disa nga këto procedura janë hetuar edhe nga organet ligjzbatuese, ku në pranga kanë rënë disa drejtues të burgjeve. Madje, një nga procedurat e dyshimta ishte edhe tenderi i mirëmbajtjes së sistemit të sigurisë në vitin 2023, me vlerë 6 milionë euro. Ngjarjet e mëvonshme, ku një i dënuar vrau po një të dënuar në Peqin, treguan se ky sistem nuk funksiononte.
Shkaktarët e burgosjes masive, Vetingu dhe reforma në drejtësi
Fiks Fare bisedoi me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca, duke e pyetur se si ka mundësi që ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. “Shqipëria ka një numër të lartë të të burgosurish por edhe të paraburgosurish që është e treta në Këshillin e Europës për numrin më të lartë të vendeve. Dhe vjen pas vetëm pas Turqisë dhe Azerbajxhanit. Mendoj se ka ardhur për shkak të politikës penale, s’ka qenë e duhura dhe vazhdon të jetë e tillë. Rregulli duhet të jetë që burgosesh kur ke një vendim të formës së prerë” thotë ajo, teksa më tej sqaron se një nga faktorët ka qenë edhe reforma në drejtësi.
“Problematikë që ka sjellë këtë situatë është edhe reforma në drejtësi, sot kemi gjysmën e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo sjell zgjatjen e proceseve gjyqësore. Në vitin e fundit ne kemi evidentuar jo vetëm afate në gjykim, por edhe afate të gjata edhe në zbardhjen e vendimeve. Nuk zbardhen as vendimet në kohë dhe kemi mesatarisht për persona që janë dënuar 6 muaj për t‘u zbardhur vendimi në kohë” shton Ballanca.
Por, me reformat që janë marrë apo po ndërmerren, a mund të rregullohet kjo situatë?! “Doli edhe një draft i Kodit Penal dhe mesa u pa kemi edhe një ashpërsim tjetër, duke kriminalizuar edhe një numër tjetër veprash penale. Procesi i Vetingut ka sjellë në një lloj vullneti të madh të prokurorëve dhe gjyqtarëve që të çojnë në burg të gjithë personat”, pohon ajo.
Në burg të varfrit, të pasurit lirohen! VIP-at në “suita”, të varfrit në qeli me lagështirë
Fiks Fare bisedoi edhe me Drejtoreshën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e cila tha se paraburgimi i tepruar është një shqetësim i sistemit peniteciar.
Madje, në Shqipëri duhet të aplikohet edhe garancia pasurore. “Garancia pasurore, si masë sigurie, përdoret shumë pak në Shqipëri, në përqindje të ulëta. E para arresti me burg, detyrim paraqitje dhe arresti në shtëpi. Ajo çka ndodh në praktik është që kjo masë, arresti me burg, nuk është përjashtim. Është masa që më së shumti kërkohet për personat e pandehur. Ndodh gjithashtu që këta persona shpeshherë nuk paraqesin një rrezikshmëri të theksuar shoqërore ose nuk akuzohen për vepra penale me rrezikshmëri të thekuar” thotë ajo, teksa shton se në paraburgim janë më shumë persona të varfër.
“Kemi gjetur në paraburgim me probleme nga social-ekonomike, të varfër. Sistemi ynë i drejtësisë penale ka krijuar një skemë jo të barabartë, sepse nëse për këta shtetas, kemi gjetur edhe të paraburgosur për vjedhje energjie elektrike. Nëse për këta kërkohet arresti me burg, ne kemi një kategori tjetër personash të cilët janë akuzuar për vepra edhe më të rënda, sikurse fshehja apo mosdeklarimi i të ardhurave, shpërdorimi i detyrës, edhe raste të korrupsionit, të cilët janë hetuar të lirë, apo me masa të buta detyrim paraqitje ose arrest në shtëpi. Kjo është një skemë e pabarabartë. Ndihet selektiviteti dhe ndikon në mirëqenien e tyre. Kufizimi i lirisë duhet të jetë masa e fundit përjashtimore” pohon Skëndaj.
Ndërkohë, burgu për të varfrit ka sjellë edhe ngjarje flagrante. Në vitin 2022, dy të paraburgosur në Kamëz dhe Kavajë, u vetëflijuan pasi u shoqëruan nga policia. “Kemi parë raste shumë flagrante që kanë shkuar deri në vetëflijim, për shkak të masës së sigurisë. Sikurse është rasti në Kamëz në vitin 2020, i cili megjithëse akuzohej për vjedhjen e një portofoli me pak lekë. Ai ishte me kemp, me probleme të shëndetit mendor dhe më pas shkoi deri në vetëvrasje në qelitë e 313-ës. Rasti tjetër është i një të riu në komisariatin e policisë në Kavajë” shton ajo.
Avokatja e Popullit mendon se këta persona kanë pasur edhe probleme të shëndetit mendor, të cilat duhet të ishin verifikuar në momentin e shoqërimit. “Ne besojmë se kanë pasur probleme të tjera të shëndetit mendor, të cilat duhet të ishin vlerësuar kur u futën në komisariate” thotë Ballanca.
VIP-at dhe KAPO-t në “suita”
Një problem madhor brenda burgjeve, është edhe trajtimi i diferencuar i të burgosurve. Në vitin 2023, Avokati i Popullit bëri një inspektim në Burgun e Durrësit, ku gjeti se të burgosurit VIP kishin ambiente më të mira se të tjerët. Ata qëndronin në një sektor, ku nuk mungonin ambientet e gatimit, me të gjitha pajisjet, tavolina apo edhe gjithçka tjetër.
“Ata janë persona që janë duke vuajtur dënimin, mendoj që sistemi peniteciar duhet ti ketë në një sektor. Të jenë me persona të ngjashëm dhe mos të jenë në rrezikun që mund ti kenë dënuar dhe futur në burg më parë. Ne kemi kërkuar që kushtet e përgjithshme të përmirësohen, s’mund të themi që përkeqësojani, por themi që përmirësojani edhe të tjerëve për të gjithë. Dhe për këtë arsye themi ky disporcion krijon problematikë për shkak të trajtimit të pabarabartë” thotë ajo.
Një problem i ngjashëm u konstatua edhe në Burgun e Peqinit, ku ngjarja e fundit zbuloi se të dënuarit për krime të rënda, ose siç njihen “kapot”, trajtoheshin ndryshe nga të tjerët. Madje, ata kishin investuar në dhoma, duke bërë meremetime, mobilime dhe gjithçka tjetër. Në sektorin e sigurisë së lartë kishte shumë shtretër bosh, ndërkohë që në sektorët e tjerë kishte mbipopullim.
Miliona euro shpenzime, por mbipopullim, lagështirë …
“Nëse do të shkojmë institucion për institucion, mbipopullimi ka problematika më të mëdha. Pse? Ndahen sektorët brenda burgjeve për të dënuar dhe paraburgosur. Dhe te paraburgosurit ka më shumë mbipopullim sesa në sektorët e të dënuarve. Aty ku duhet të ishin kushtet më të mira, që janë institucionet që vuajnë persona të shëndetit mendor, nga një kapacitet prej 198 personash, ne kemi 458. Ne kemi dyfishin e kapacitetit” thotë ajo.
Megjithëse janë investuar dhjetëra miliona euro për të ndërtuar burgje të reja, apo për të mirëmbajtur ato ekzistuese, sërish ka kushte të këqija. “Një nga burgjet më të këqija është paraburgimi i Mine Pezës, siç është godina e paraburgimit. Tjetra është një godinë e mirë. Qelitë, edhe dalja në ajrim ku ata dalin në tarracë. Tepelena, Burreli? Të dyja problematike, sidomos Tepelena. Ne kemi rekomanduar mbylljen. Tepelena përveçse e vjetër ka edhe mbipopullim. Edhe harta gjyqësore ka një problem, Tepelena do mbyllej por aty do çohen ata të qarkut dhe është e pamundur të mbyllet për momentin” thotë Ballanca.
Ndërkohë, Skëndaj shton se infrastruktura është ajo që sjell shqetësime të këta shtetas. “Janë mbyllur disa burgje problematike në Shqipëri si Zaharisë në Krujë, apo burgje të tjera kohët e fundit. Burgjet që janë gjetur me problematika nga pikëpamja infrastrukturore janë Lushnja, Tepelena, Ali Demi, Burreli, Peqini, Mine Peza, 313-ta, pra janë disa burgje. Madje edhe burgjet e reja, edhe duhet të mirëmbahen sikurse Peqini, Fushë Kruja dhe Shkodra” përfundon Skëndaj.