Prokuroria e Posaçme konfirmoi se ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Burime për VoxNews kanë thënë se SPAK i ka sekuestruar telefonin Drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi si dhe dy vartësve të tij, shefit të kabinetit, Elird Qendro dhe drejtorit të rimbursimeve, Gjergj Smokthina.
SPAK njoftoi se hetimet ndaj Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike një më 3 korrik 2023 dhe kallëzimi i dytë nga PD është bërë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.
Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.