Gentian Bejtja, një nga emrat më të njohur për policinë në zonën e Fushë Krujës, është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Larushk. Ndaj Bejtjas është qëlluar në momentin kur ai ndodhej në oborrin e banesës.
Ish-polici i burgut të Fushë Krujës u bë i njohur më 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, i cili ra pre e një atentati në pranë shtëpisë së tij në Tiranë.
Bejtja bashkë me Enver Stafukën i rrëmbyer dhe zhdukur që nga mbrëmja e 8 shkurtit të vitit 2015 dyshohej se ishin personat që kishin vjedhur makinën që u përdor në vrasjen e kryekomisar Lamajt. Bejtja dhe Stafuka u vunë në pranga në atë kohë nga policia, por u liruan në vitin 2015.
Një vit më pas në 2016, 42-vjeçari i shpëtoi dhe një shpërthimi të telekomanduar në automjetin e tij.
Më 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.
Më datë 4 korrik të vitit 2023 atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç dhe të plagosur Alvi G. Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç.
Për atentatin e ndodhur më datë 4 korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e mbajtjes pa leje. Ky i fundit, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me arrest shtëpie më datë 18 janar 2024 .
Emri i tij rezulton dhe në shoqërimet që policia ka bërë për vrasjen e Julian Calit në autostradën Tiranë-Durrës në vitin 2022, por edhe një atentati ndaj Marklen Hakës në Fushë Krujë po përgjatë vitit 2022.