Pak ditë më parë Policia e Shtetit tha se kishte gjetur një bazë armatimesh dhe municionesh në Babicë të Vlorës, ku edhe u arrestua një person.
Gazetari investigativ Artan Hoxha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se nga hetimet ka dalë se kjo bazë logjistike është përdorur nga një organizate kriminale në Vlorë që do të përgjigjej ndaj vrasjes me snajper të Gëzim Sinomatit, në fillim të janarit.
“Policia e Vlorës ka kapur disa depo të tilla armatimi. Armatimi që u kap aty, në fshatin Babicë, vetëm dylbia bënte 40 mijë euro.
Nga hetimet ka dalë se kjo bazë logjistike është përdorur nga një organizatë kriminale në Vlorë si përgjigje ndaj vrasjes me snajper të Gëzim Sinomatit. Është krahu i kundërt.
Policia e Vlorës dhe Policia e Shtetit ka bërë disa operacione për të parandaluar ngjarjet pas asaj vrasjes me snajper. Për këtë u arrestua edhe Armando Sulejmani, ose Çipuri. Veprimet i kanë dhënë të drejtë policisë.
Aty në Vlorë janë kapur mina të telekomanduara, mjeteve ndërlidhëse, një infrastrukturë e tërë. Ajo që po hetohet është nëse këto janë përdorur këto armë. Dy grupet që luftojnë në Vlorë janë fanatike dhe kur hyjnë në betejë e bëjnë për hesapin e tyre dhe nuk bëjnë klering me grupe të tjera. Kanë financime të shumta, për të rekrutuar ushtarë, për të korruptuar policinë. Ka një person që është ndaluar gushtin e kaluar në Lungomare dhe që po ndihmon policinë me informacione.
Të gjitha këto mjete që janë kapur, personat që janë shoqëruar apo janë në arrest do të ndikojnë për të ndaluar aktet kriminale në Vlorë. Ata e kanë buxhetin më të madh se të Ministrisë së Brendshme dhe veprojnë në shumë hapësira të kontinentit dhe ne vetëm mbledhim kufomat”, deklaroi Hoxha.