Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ ku ka komentuar lidhur me vendimin që pritet të japë nesër Gjykata e Lartë sa i përket 21 Janarit.
Ai tha se 21 Janari nuk është hetuar siç duhet për këtë arsye kemi dhe një ngjarje të 13 viteve pa autor.
Sipas tij, familja e Aleks Nikës, një nga protestuesit e vrarë në Bulevard, ka një kasetë e cila mund të jetë prova e nevojshme për ta rihapur çështjen.
“Gjykata e lartë nesër do vendosë për 4 të vrarët në 21 Janar. Familja e Aleks Nikës e përfaqësuar nga bashkëshortja e tij nuk ka hequr dorë gjatë këtyre 13 viteve për të kërkuar hetim, ndëshkim të përgjegjësve dhe drejtësi. Gjykata e shkallës së parë e ka rrëzuar dhe familja kërkon hetim nga SPAK.
Në rastin konkret, familja e Aleks Nikës, thonë se disponojnë kasetën, që kemi nxjerrë dhe thonë që ky material shërben si indicie për të shkuar te prova.
Nuk është provë në vetvete, por indicie që të çon te prova. Këtë material nuk ia kanë dorëzuar prokurorisë dhe kanë bërë mirë.
Kjo është një ngjarje, ku familjarët e Aleks Nikës, kërkojnë që hetimi të fillojë nga ish kryeministri Berisha, ish ministri i brendshëm Basha, ish drejtori i policisë, ish presidenti, etj. Të gjithë shteti nuk kanë dhënë deklarime në atë kohë. Kaseta origjinale nuk u dorëzua.
Në vendimin e parë u tha se vrasjet kanë ndodhur na pakujdesia. Si ka ndodhur kështu? Dolën për gjah ata dhe u ngatërruan për derr atje? Është fiks si masakra e Peshkëpisë. Vetëm SPAK mund të hetojë politikanë të këtij niveli.
Të gjitha kanë kaluar nëpër duar informacion sekret, aty duhet të thirret ish shefi i opozitës Edi Rama. I gjithë ky hetim duhet të kryhet, sepse nuk është kryer asnjëherë.
Nesër do të vendoset nëse këta tre gjyqtarë, janë tre gjyqtarët që në rastin e Lapsit vendosën të pengonin SPAK të bënte sekuestrimin, por në rastin e Elton Qynos e lejuan, duke bërë që gazetarëve t’i bastisin studio, makinë, shtëpi etj.
Shpresoj shumë që nesër të ketë një vendim 3-0. Ai vendim thjesht i thotë SPAK të hetojë. Nesër Gjykata e Lartë nuk shpall fajësi, vetëm e udhëzon apo urdhëron SPAK që ta hetojë.
SPAK ka infrastrukturë dhe mbrojtje të madhe për të kryer një hetim të tillë shterues. Nuk e bën dot një prokurore e vetme.
Ne presim që nesër të jepet vendimi. Nëse nesër Gjykata e Lartë nuk ia kalon SPAK-ut kjo çështje njëherë e mirë mbyllet. Shpresoj që nesër të ketë një vendim të plotë”.