Një 20-vjeçar nga Pogradeci ka humbur lejen e drejtimit si dhe ka marrë një gjobë të majme prej 750 mijë lekësh të vjetra, pasi donte të fitonte disa klikime më shumë në TikTok.
I riu ishte filmuar duke qëndruar mbi makinë e tij teksa ishte në ecje dhe pa shofer.
Dëshira për t’u bërë i famshëm në rrjetet sociale ku ishte hedhur video, ka bërë që policia ta identifikojë dhe ta ndëshkojë me gjobë dhe heqje të lejes së drejtimit.
Njoftimi i Policisë:
Kreu manovra të rrezikshme dhe pengoi qarkullimin në zonë të banuar, shërbimet e Policisë Rrugore identifikojnë dhe ndëshkojnë me masë administrative 75 000 lekë, drejtuesin e automjetit, si dhe i tërheqin lejen e drejtimit.
Menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, i cili kryente manovra të rrezikshme në zonë të banuar, duke u bërë rrezik për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, shërbimet e Policisë Rrugore Korçë organizuan kontrollet me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e tij.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi M. M., 20 vjeç, banues në Pogradec, ka hipur mbi kabinën e automjetit, ka kryer manovra të rrezikshme dhe ka penguar qarkullimin, në zonë të banuar, ndërkohë që manovrat me timonin i ka kryer pasagjeri.
Për kundërvajtjet e kryera, konkretisht për shkelje të neneve 126, 139 dhe 170 të Kodit Rrugor, shtetasi M. M. u ndëshkua me masë administrative 75 000 lekë. Gjithashtu, 20-vjeçarit iu tërhoq leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.